KALVARI I NJË POPULLIT TË PËRGJAKUR
"Çamët, vendin e tyre e duan me entuziazëm. Kur flasin për të, e vënë mbi vendet e tjera. Vështrimi i tyre vete kurdoherë mbi malet e Epirit".
PUKËVIL, në "Voyage", vëll.I, Kap.29
Nga HAJREDIN ISUFI
studiues
Çamët kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të huaj për trimërinë dhe guximin e tyre, brenda dhe jashtë vendit. Shumë autorë, në veprat e tyre, kanë shkruar faqe të tëra duke i paraqitur çamët si luftëtarë të zotë e të guximshëm. Shpirti i lartë i luftëtarit çam dhe guximi i tij, ka tërhequr në shekuj edhe lakminë e vendeve të ndryshme të Perëndimit e të Lindjes, për t'i pasur në radhët e forcave të tyre jo vetëm si luftëtarë, por edhe si drejtues të veprimeve luftarake. "Shqiptarët, shkruan Johallas, thërriteshin nga të huajt si luftëtarë dhe sidomos si kalorës të mirë", (Johallas, P.Titos, "Mbi emigrimin e shqiptarëve në Greqi", në: AIH, Dos.A - II - 56).
Çamët, në radhët e forcave të huaja, i hasim që në dhjetëvjeçarin e parë të shek.XVI. Kështu historiani Giuseppe Valentini, autor i veprave shumë-vëllimshme, në njërën prej tyre ve në dukje se dy luftëtarë suliotë, njeri me emrin Gjokë dhe tjetri me emrin Lekë, i hasim si stratiotë që në vitin 1511, (Guseppe Valentini, "Il diretto delle comunita nella tradioline giuri Albanese", f.351).
Pukëvili tregon se tre fshatrat e juridiksionit të Filatit: Janjari, Filati dhe Koska "kanë qenë fidanishtja prej nga përzgjidheshin luftëtarët që sulmonin Rumelinë. Përpara se Ali Pasha të bëhej zot i Çamërisë, këto trupa çame bënin inkursione në grykat e maleve të Maqedonisë dhe e drejtonin vështrimin e tyre deri në Egjipt", ( Pouqueville, Voyage, vep.e përm., Vëll.I, Kap.29).
Në Konferencën Shkencore që u organizua nga Instituti i Studimeve për Çamërinë, më 26 qershor 2004 në Tiranë, në kuadrin e 60-vjetorit të shpërnguljes me dhunë të popullsisë shqiptare nga Çamëria, intelektuali dhe politikani i shquar i shqiptarëve të Maqedonisë, z.Arbën Xhaferri, në temën që trajtoi, solli të dhëna me vlerë rreth problemit që trajtojmë: "Në vitin 1806, deklaroi autori, Beogradi u çlirua nga turqit. Rol të rëndësishëm në këtë luftë luajti epiroti çam, Jani Kondo, apo siç e quanin serbët, Kondo Bimbashi, i cili bashkë me luftëtarët e tij, kryesisht çamë, hyri i pari në kala. Një tjetër luftëtar çam, Gjergj Olimpiasi, me 300 vullnetarë të tij shqiptarë luftoi për çlirimin e Serbisë, (Arbën Xhaferri, "Legalizimi i krimit", referat i mbajtur në Konferencën Shkencore të organizuar nga Instituti i Studimeve për Çamërinë, më 26 qershor 2004, në: "Çështja çame dhe integrimi evropian", Arbëria, 2005, f.98).
Historia e re e Egjiptit ka në themelet e saj kontributin që kanë dhënë luftëtarët shqiptarë kundër krimit të organizuar, që kishte lindur në Egjipt, dhe përcaktoi në mënyrë përfundimtare karrierën e shqiptarit Mehmet Aliu dhe i hapi rrugë për të ndërmarrë reforma ekonomike dhe ushtarake.
Në radhët e drejtuesve të forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, burimet e kohës përmendin si drejtues të taboreve osmane Sulejman Çaparin, nga Luarati i Margëlliçit, në kryengritjen e Orllovit në More, përpjekjet mes forcave ruse dhe atyre turke, që përfunduan më 1769 me fitoren e forcave turke, (Sp.Mela, "To lintari...", vep.e përm., f.39).
Këtë shpirt të shqiptarëve për t'u larguar nga vendi i tyre i pushtuar dhe për të kaluar në aventura e me prirje mercenare, Dora D'Istria e motivon vetëm e vetëm për të fituar para për të mbijetuar .
Asnjë rrëfim nuk do të ishte i plotë për vetitë luftarake të shqiptarëve çamë, pa përmendur luftërat heroike që kanë bërë suliotët në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre. Mënyra më e mirë për të njohur heroizmin legjendar të çamëve, është t'u referohemi vlerësimeve që kanë bërë studiuesit e huaj në periudha të ndryshme historike. Pukëvili, duke qenë Kryekonsull i Francës në Janinë, më 1806 njohu nga afër cilësitë e çamëve, si dhe vetitë luftarake të tyre, që i dallonte ata. Francezi, në veprën e tij disavëllimëshe bëri vlerësime që meritojnë vëmendje. Suli dhe suliotët, Filati dhe filaqotët, Margëlliçi dhe margëlliçotët, u bënë epiqendra e vëzhgimeve të tij në qëndresën heroike të çamëve, të cilët "donin të jetonin të lirë si të parët e tyre", (Jurien de la Craviere, "La station de Lavarit", Paris, 1876, Vëll.II, f.89).
Pukëvili, vuri re tek shqiptarët çamë disa veçori dalluese, si: luftëtarë të maleve, që lidhej me origjinën e tyre antike, trima, të cilët në veprimet luftarake zgjidhnin pozicione, zinin qafa për të kontrolluar lëvizjet e kundërshtarit. Pukëvili, në shënimet që ka lënë për çamët, shkruan me admirim për trimëritë e qëndresën e tyre për të mos rënë nën sundimin e Pashait të Janinës: "Filaqotët, shkruan Pukëvili, ndryshe nga korfiatët, shquheshin gjatë mbrojtjes për guximin e madh dhe këta ishin të pathyeshëm. Ali Pasha nuk ka qenë në gjendje të matej e të ndeshej seriozisht me ta", (Po aty, vep e përm., Vëll.I, Kap.29).
Këto cilësi të larta të shqiptarëve çam bënë që Pukëvili, megjithëse nuk kishte qenë një dashamirës i shqiptarëve, të miqësohej me çamët dhe në ditë të vështira, kur në kazanë e Filatit më 1813 kishte rënë kolera dhe vdekja merrte qindra jetë njerëzish çdo ditë, ai ishte mes çamëve.
Pukëvili nuk e fshihte atëherë admirimin për çamët, që i cilësonte: "Një popull të shquar për zotësinë e vet, një popull që s'mund ta gjesh më të mirë, më fisnikët e farës shqiptare, si për nga guximi, ashtu dhe shëndeti, që janë përkujdesjet e tij kryesore", (po aty).
Kur flitet për vlerësimet që u bëjnë autorët e huaj cilësive luftarake të çamëve, nuk duhet lënë pa përmendur historiani anglez, Çajrël, për shënimet që ka lënë në veprën e tij. Ai, ndër të tjera shkruan: "…Natyra ka qenë një memece e rreptë për shqiptarët, por të paktën ajo iu pat dhënë zemër të qëndrueshme dhe muskuj penjëzor të fortë për të luftuar. Ali Pasha, megjithëse kishte ndërtuar një kështjellë madhështore për të vënë nën kontrollin e tij malësorët trima, kurrë nuk kishte arritur t'i nënshtronte plotësisht, (po aty, f.234).
Çajrël qëndroi mes çamëve në kazanë e Margëlliçit me javë të tëra. Ai, kur flet për trimërinë e margëlliçiotëve, përmend edhe suliotët legjendarë, të cilët i karakterizon si "një racë të fortë shqiptare, të krishterët e malësive, të cilët me trimëri e mbajtën gjatë shekullin e XIX, supremacinë e padiskutueshme në këto kështjella dhe i detyruan kundërshtarët e tyre të thyheshin në terren malor, në fushë e në det, madje dhe në portat e Janinës, (po aty, f. 205-206).
Në përshkrimin e luftëtarëve suliotë, Çajrel do të veçonte si tipar dallues të tyre në veprimet luftarake, shkathtësinë e tyre në ngjitjen nëpër male e shkrepa, nëpër monopate e shtigje, që viheshin kurdoherë nën kontrollin e tyre. Ndërsa Liku shkon edhe më tej, duke treguar se suliotët kishin një taktikë origjinale në veprimet e tyre luftarake: kur forcat armike ishin të shumta në numër, suliotët i sulmonin në befasi, ndërsa kur shihnin se forcat e kundërshtarit ishin të shumta e të pabarabarta me të tyret, synonin t'i zinin rob ose t'i asgjësonin plotësisht .
Prijësit çamë në Revolucionin Grek
Ndonëse pjesëmarrja e shqiptarëve (çamëve) për pavarësinë e Greqisë është e njohur gjerësisht, në burimet greke anashkalohet apo minimizohet ky kontribut.
Ishin kapedanët shqiptarë të Çamërisë në shërbim të Ali Pashës, që i dhanë Greqisë së re trimat më të shquar në luftë për pavarësi: Noti Boçari, Kostandin Boçari, Marko Boçari, K.Xhavella, Jorgji Dhrako, Danglli, Llambro Vejko, Jani Gjeli, Tushi Zerva, (August Febre, "Historie du siège de Messolonghi", Paris, 1827, f.209). Fatkeqësisht, disa historianë e publicistë grekë ia atribuojnë vetëm helenëve Revolucionin Grek e nuk theksojnë që në atë revolucion shumë shqiptarë luftuan trimërisht për pavarësinë e Greqisë. Kjo nuk ishte një rastësi. Gjithmonë popullin shqiptar dhe atë grek i ka lidhur miqësia.
Engelhardt-i, duke folur për kontributin e shqiptarëve në Kryengritjen Greke për pavarësi, shkruan se në Shqipërinë e Poshtme "lindi pavarësia greke, se Boçarët, Karaiskaqët, Miaulët (...) ishin shqiptarë", (Tarih-i, Lufti, CIS, 13; "Enciklopedie de Islam", Vëll.I, f.229-264).
Në prag të Revolucionit Grek, kapedanët e Sulit, me forcat e tyre dhe bejlerët myslimanë të Çamërisë ishin në radhët e forcave osmane, të joshur nga premtimet që kishin marrë nga Porta e Lartë se suliotët, pas fitores së osmanëve mbi Ali Pashën, do të ktheheshin në vatrat e tyre në Sul dhe bejlerëve çamë do t'u ktheheshin çifligjet që u kishte grabitur Ali Pasha. Megjithëse të krishterët shqiptarë të Sulit, si dhe bejlerët myslimanë ishin skeptikë ndaj premtimeve me të cilat i joshte Porta e Lartë, ata i mbante një shpresë e vogël dhe kjo i bënte të luftonin përkrah forcave osmane, kundër forcave të Ali Pashës, armikut të tyre të vjetër, që ishte drejt një fundi tragjik. Ndërkohë, pabesia e Portës nxori krye. Kryegjenerali turk thërriti kapedanët e Sulit dhe u komunikoi se Porta e Lartë, pas fitores ishte e gatshme t'' kthente suliotët dhe familjet e tyre në fshatrat e Frarit, në çifligjet e bejlerëve të Margëlliçit e të Paramithisë dhe nuk do t'i lejonte kurrë të ktheheshin në Sulin e tyre të dashur, në vatrat e tyre, që e kishin braktisur që në dhjetor të vitit 1813, (Spiro Mela, "To lintari tis Ipirou Ali Pasias, qe Suoli...", Parames 21 Athinë, 1970, f.388).
Kapedanët çamë braktisin Turqinë për Revolucionin Kjo deklaratë bombë e kryegjeneralit osman i dëshpëroi shumë kapedanët e Sulit, si dhe bejlerët myslimanë të Çamërisë. Ali Pasha, që njihej si një mjeshtër i përsosur për të shfrytëzuar lëkundjet e kundërshtarit, ndërhyri me anën e njerëzve të tij, për të njoftuar kapedanët e Sulit dhe bejlerët myslimanë të Çamërisë që të krijonin një aleancë kundër forcave turke, që përditë e më tepër po i afroheshin portave të Janinës. Pashai u ofronte aleatëve të rinj, jo vetëm premtimet që u kishte dhënë Porta, por luftëtarëve edhe rroga më të mira sesa ato që merrnin nga Turqia... Pas shumë hezitimesh, suliotët pranuan. Ata, më 3 dhjetor 1820, u larguan nga forcat sulltanike, duke braktisur pozicionet, dhe kaluan në anën e forcave të Ali Pashës. Suliotët, sapo kaluan në anën e Aliut, më 4 dhjetor, ndërmorën sulme të forta kundër forcave osmane duke u shkaktuar humbje të mëdha. Fitoret e suliotëve përkuan me shpërthimin e Revolucionit Grek, prandaj ato patën jehonë të gjerë në të gjithë Greqinë dhe u bënë burim frymëzimi i popullit helen për pavarësi. Ndërkohë, Ali Pasha urdhëroi që më 12 dhjetor 1820 të hynin në Sul. Ky lajm i gëzoi shumë suliotët dhe kthimi në vatrat e tyre pas 13 vjetësh, ishte një ngjarje e shënuar. Ata tashmë do të shkelnin pragjet e shtëpive të tyre, do të preknin me dorë çdo pëllëmbë toke, që e kishin larë me gjak.
Ali Pashë Tepelena mashtron çamët e Sulit
Për fat të keq, gëzimi dhe ndjenja e kënaqësisë që përjetuan suliotët në vatrat e tyre, nuk zgjati shumë. Koha tregoi se Aliu, si gjithmonë, nuk i mbajti premtimet që u kishte dhënë suliotëve, që tashmë ishin dhe aleatë të tij. Ai lejoi të futeshin ata në Sul, por pikat më të rëndësishme strategjike, siç ishte Kështjella e Qafës, nuk e lëshoi të vihej nën kontrollin e suliotëve, por u mbajt nga 60 forca të përzgjedhura të Ali Pashës . Në gjuhën e thjeshtë, kjo donte të thoshte se Ali Pasha i kishte mashtruar edhe këtë herë çamët e krishterë të Sulit.
Tashmë suliotët, pas mashtrimeve të Portës së Lartë, provuan edhe një herë pabesinë e vezirit plak. Në këto rrethana suliotët, pa asnjë hezitim, u bashkuan me forcat kryengritëse greke, aleat i të cilave ishte edhe Ali Pasha, kundër Hurshit Pashës, që tashmë kishte ardhur në krye të forcave turke në Greqi.
Çamët manifestonin ndjenja dashurie dhe solidariteti ndaj helenëve, ndërkohë që sundimi shekullor osman kishte kultivuar thellë tek shqiptarët çamër ndjenjën e pavarësisë. Në vigjiljen e Revolucionit Grek, kur Hurshid Pasha vazhdonte ta ngushtonte rrethimin e Janinës. Perovoji arriti në Sul, i cili në emër të Ipsilantit, kryetar i Revolucionit Grek, i ftonte suliotët të luftonin për liri dhe të ndikonin tek muhamedanët shqiptarë të kalonin në anën e Revolucionit Grek, se edhe Ali Pasha ishte mbështetës i revolucionit. (K.Biris, vep.e përm., f.345)...
Në Revolucionin Grek
Të besëlidhurit nisën veprimet e përbashkëta kundër forcave osmane. Ato, më 25 prill 1821, nisen për në Prevezë, ku forcat e të besëlidhurve bashkohen me çetën e Janaq Jorgjit. Me veprime të përbashkëta, suliotët dhe forcat e bejlerëve çamë vunë nën kontrollin e tyre shumë territore të Shqipërisë së Poshtme dhe pas këtij suksesi, suliotët kthehen në Sul .
Dhimitër Ipsilanti mësoi sukseset e aleancës së suliotëve me muhamedanët çamë dhe u entuziazmua për fitoret e tyre. Për Ipsilantin kjo aleancë nuk ishte e mjaftueshme që çamët muhamedanë të bashkëpunonin me suliotët. Komandantit të Revolucionit Grek i interesonte që çamët, me forcat që kishin dhe trimërinë që i karakterizonte, dhe që përbënin një potencial të fuqishëm ushtarak, të bashkoheshin përkrah forcave kryengritëse greke, në luftë kundër forcave osmane. Ipsilanti vlerësonte jo vetëm bejlerët e Çamërisë për ta mbështetur Revolucionin Grek, por edhe krerët e krahinave të tjera të Shqipërisë së Jugut. Komandanti i Revolucionit Grek, ndjenjat e pastra për një aleancë me shqiptarët kundër armikut të përbashkët, i shpalosi hapur dhe pa hezitim në dy letra që u nisi krerëve shqiptarë, në të cilat i ftonte të luftonin përkrah grekëve.
Letra e parë (nga tre të tilla) e Dhimitër Ipsilantit, që iu drejtua parisë së Çamërisë, mban datën 26 qershor 1821... Rrethimi i Tripolicës, në shtator të vitit 1821, gjendej në pikën më kritike. Qyteti ishte i rrethuar nga forcat e shumta osmane. Uria dhe sëmundjet po i sfilitnin të rrethuarit helenë. Forcat osmane synonin t'i detyronin të rrethuarit ose të dorëzoheshin, ose të vdisnin të gjithë nga uria. Në radhët e taborëve osmanë ishin edhe rreth 2000 ushtarë shqiptarë me rrogë dhe komandantët e tyre si, Jaho Demi, nga Filati i Çamërisë e Sali Çami, nga fshatrat e rrethinave të Gumenicës. Ata nuk pajtoheshin me vendimin që kishte marrë komandanti osman, që të rrethuarit të vdisnin nga uria e sëmundjet, që po kthehej në një epidemi të vërtetë masive. Komandantët e forcave shqiptare, nuk kishin asnjë lidhje kombëtare e solidaritet me forcat osmane, por ndjenin një dhembje të thellë për fatin tragjik që përjetonin helenët e rrethuar. Kjo situatë e rëndë bëri që komandantët e forcave shqiptare në radhët e forcave turke, të bien në kontakt me Kollokotronin e t'i deklaronin se ishin gati të braktisnin pozicionet, me kusht që forcat kryengritëse greke t'i linin të lirë të ktheheshin në atdheun e tyre. Kollokotroni e mirëpriti propozimin që iu bë dhe i mori në konsideratë të plotë kërkesat e palës shqiptare.
Shtabi i komandës osmane në Tripolicë, kur pa se shqiptarët me komandantët e tyre, Jaho Demi, Sali Çami, Elmaz Meçi etj., braktisnin pozicionet ku ishin dislokuar, u dëshpëruan dhe u detyruan t'u propozojnë grekëve kryengritës armëpushim. Komandantët shqiptarë gjatë tërheqjes nxjerrin nga rrethimi gjithë klerikët grekë dhe parinë helene, që mbaheshin të izoluar në Tripolicë, dhe dolën bashkë me armët e tyre. Komandantët shqiptarë gjithashtu ishin marrë vesh me kryengritësit grekë, që kur të largoheshin forcat shqiptare, të bëhej një mësymje e fortë kundër pozicioneve osmane, ( N.Spiladou, "Kujtime", Vol.A, f.243; K.Biris, vep.e përm., f.350).
Ja si i përshkruan shqiptarët që dolën nga Tripolica, francezi Vutie: "Ishte një pamje prekëse t`i shikoje këta ushtarë trima të dobësuar nga privacionet, por krenarë të kalonin përmes grekëve".
Kollokotroni për t'u siguruar nga çdo incident gjatë udhëtimit të forcave shqiptare për në atdheun e tyre, caktoi 500 luftëtarë të zgjedhur kryengritësish grekë, që i drejtonte komandanti i shquar i Revolucionit Grek, Z.Pllapoutas. Në vendin e quajtur Mitika, Daljanenjtë, një fis i madh grek, kishin bërë një pritë të fortë për të sulmuar forcat shqiptare e t'i vrisnin të gjithë, në shenjë hakmarrje të vrasjes së vëllait të tyre, Theodhorit, nga forcat osmane, pak kohë më parë. Kollokotroni u njoftua nga njerëzit e tij për pritën që ishte përgatitur dhe menjëherë urdhëroi Daljanenjtë të tërhiqeshin nga planet që kishin stisur dhe të mos krijonin asnjë incident . Daljanenjtë u tërhoqën dhe kolona e shqiptarëve, më 30 shtator arriti në Egjio dhe prej andej do të vazhdonin udhën për në vendin e tyre. Egjio ishte edhe vendi ku forcat greke do të ndaheshin nga shqiptarët, të bindur se ndaj tyre nuk kishte më rrezik rrugës. Jaho Demi, Sali Çami dhe Elmaz Meçi i dorëzuan Pllapoutës një parashtresë falënderimi, në të cilën shprehnin mirënjohje për Kollokotronin si dhe komandantëve të trupës greke, që i shoqëruan në mbrojtjen e jetës së tyre. Peticioni nënshkruhej nga Jaho Demi, Sali Çami, Elmaz Meçi e Lalush Perpani, (N.Spiladou, "Kujtime", po aty).
Në tetor të atij viti, çamët, suliotët e toskët, në bashkëpunim edhe me forcat kryengritëse helene, ndërmorën disa aksione të përbashkëta e të suksesshme kundër forcave osmane në Arahthit, si dhe në rrethimin e komandantit turk në Artë.
Lidhja e aleancës së çamëve me luftëtarët grekë
Forcat shqiptare në këto aksione, siç shkruan historiani grek, Dionis Kokinoi (Dionis Kokinou, "Revolucioni grek", Vëll.IV, f.68, 74; K.Biris, vep.e përm., f.346.), ishin rreth 1500 vetë. Veprimet e përbashkëta greko-shqiptare tregonin se në fakt aleanca ishte krijuar. Tanimë pritej vetëm akti formal për t'u zyrtarizuar aleanca nga pala greke. Me ndërhyrjen e suliotëve, edhe kjo pikë që kishte mbetur pezull, u zgjidh.
Pala e udhëheqësve të kryengritjes greke ftoi krerët myslimanë shqiptarë në Peloponez, në vendin ku ishte caktuar për t'u zyrtarizuar aleanca. Palën shqiptare në atë takim e përfaqësonte Tahir Abazi. Ndërkohë forcat çame, nën drejtimin e Pronjos dhe Çaparit, ishin dislokuar në rrethinat e Artës dhe menjëherë pas nënshkrimit të aleancës, prisnin sinjalin për të kaluar në radhët e kryengritësve grekë, që ishin më të organizuar dhe më të përqendruar në veprimet luftarake…
Tahir Abazi, i revoltuar nga djegia e fshatit, prishja e xhamive dhe e teqeve, si dhe i keqtrajtimeve të myslimanëve arvanitas, hoqi dorë nga vazhdimi i udhëtimit drejt Peloponezit dhe u kthye në Artë. Aty ai u bëri të njohur bejlerëve çamë dhe drejtuesve të tjerë shqiptarë të Shqipërisë së Poshtme, veprimet e dhunshme që kishin ndërmarrë kryengritësit grekë ndaj familjeve myslimane dhe institucioneve të kulteve fetare myslimane. Ky lajm i kobshëm, mjaftoi që krerët shqiptarë të hiqnin menjëherë dorë nga aleanca me kryengritjen greke e të bashkoheshin me Hrushit Pashën, (K.Biri, "Arvanites oi dories tou neotorou elenizmou", Athinë, 1961., f.346).
Por vuajtjet çame në këtë betejë qëndrese e më pas, mbeten të pashoqe. Ja si shkruan Dora D'Istria: "Për fat të keq, asnjë pjesë e Shqipërisë nuk ka vuajtur aq sa Çamëria nga fanatizmi mysliman dhe ky është një konstatim mëse i drejtë, i cili herë pas here në momente kritike ka nxjerrë krye dhe është bërë pengesë serioze në progres, siç ishte rasti në mbrojtjen e alfabetit latin e shkollës shqipe", ( Dora d'Istria, vep.e përm.).
Prishja e aleancës
Hrushit Pasha, kryegjenerali turk, e shfrytëzoi pa humbur kohë konfliktin që kishte plasur mes drejtuesve të kryengritjes greke dhe bejlerëve myslimanë shqiptarë të Shqipërisë së Poshtme. Ai gjeti terren të favorshëm për t'u bërë thirrje myslimanëve shqiptarë të largoheshin përfundimisht nga aleanca, duke u thënë se kryengritja greke ishte vepër e Rusisë cariste dhe se ajo ishte drejtuar kundër myslimanëve dhe se do të ishte një dënim qiellor, po qe se myslimanët do të bëheshin me të krishterët. Propaganda e Hrushit Pashës synonte që bejlerët myslimanë çamë të bashkoheshin me forcat osmane. Të gjitha këto presione nga brenda e jashtë nuk mund të mos ndikonin në tronditjen nga themeli të aleancës dhe prishjen e saj. Jetëgjatësia e saj qe vetëm 12 muaj: Janar 1821- Dhjetor 1821, (Pouqueville, "Histoire de la rigeneration de la Grece", f.199-200).
Prishja e aleancës dhe fushata e reprezaljeve që kishte nisur ndaj myslimanëve shqiptarë, i preku shumë suliotët dhe kreykapedanin e tyre, Marko Boçarin, edhe për faktin se kishte qenë Marko Boçari nismëtari për krijimin e aleancës mes bejlerëve të Çamërisë dhe kryengritjes greke.
Madje, Marko Boçari shihte se ftohja e bejlerëve myslimanë të Shqipërisë së Poshtme ndaj kryengritjes greke, kishte nisur të ndjehej edhe tek shqiptarët e krishterë suliotë. Këto pasoja të paparashikuara nga krerët e kryengritjes, kishin krijuar tensione alarmi tek qeveria greke.
* * *
Gratë suliote, luftëtare si burrat
Dëshmi interesante të trimërisë së grave çame sjell dhe Dora D'Istria: "Në rreziqet e mëdha s'ka pasur asnjëherë nën armë më shumë se 1500 luftëtarë. Gratë e tyre i shoqëronin ata në luftë, transportonin ushqime dhe municione dhe në rast nevoje rrëmbenin dhe pushkën dhe e përdornin atë me mjeshtëri, si burrat e djemtë e tyre. Sali Pasha, i biri i Aliut, që ishte poet, i ngre lart vlerat e grave suliote në një vjershë të tij, duke vënë në gojën e Ali Pashës vargjet: "...Shihni si qëndrojnë suliotët/ Trima burrat, burrëresha gratë...", (Dora d`Istria, vep.e përm., f.38).
Shembulli dhe heroizmi i grave suliote u jepte kurajë jo vetëm luftëtarëve suliotë, por edhe indiferentëve dhe frikacakëve. Ato i ndiqnin hap pas hapi burrat dhe djemtë e tyre. Thuhet, se Moskoja, gruaja e kapedan Xhavellës, kur kishte arritur në kullën e Qafës në Sul, gjeti të shtrirë trupat e disa luftëtarëve suliotë. Koço Xhavella, nipi i saj, sapo kishte dhënë shpirt. Moskoja, sipas Dora D'Istrias, i bëri nderimet mortore të denja për luftëtarët..., hidhet mbi trupin e tij, e puth, e mbulon me përparësen e saj dhe i thotë: "Nip i shtrenjtë, unë arrita shumë vonë për të të shpëtuar, por unë do të vrapoj të të marr hakun". Dhe me shpejtësi, si një ortek, vihet në ndjekje...", (Dora D'Istria, po aty, f.39).
Gratë çame, kur e shihnin armikun të sulmonte territoret e shtrenjta të tyre dhe t'u rrëmbente lirinë e t'i kthente në skllavëri, rrëmbenin armët. Sulmi i tyre mbi forcat armike ishte i befasishëm dhe i vrullshëm si stuhi.
Flijimi për nder i 100 grave suljote
Në një nga betejat e ashpra të vitit 1792, kur Suli u sulmua nga forca të shumta të Ali Pashës, disa gra suljote, duke parë rrezikun që i kërcënonte armiku i tyre, rrëmbyen armët. Ajo që i printe suliotët ishte Moskoja, gruaja e Kapedan Xhavellës. Gruaja suliote, ashtu si të gjitha gratë shqiptare, i jepnin rëndësi të madhe nocionit "nder". Në emër të tij, ato ishin gati të sakrifikonin edhe jetën e tyre. Këto veti të larta të gruas shqiptare, thotë studiuesi arvanitas, Aristidh Kola, "janë gjëra të panjohura për lindoret, prandaj edhe nuk i çmonin këto veti të larta të shqiptarëve", (A.Kola, vep.e përm., f.302.)
Brigjet e Aspropotamit dhe shpatet e thepisura të humnerës së Zallongut, u bënë dëshmitarë të vetësakrificës. Gratë suliote preferuan vetëflijimin e tyre. Ato zgjodhën më mirë një vdekje të ndershme, që të shpëtonin nga një jetë prej skllave, që i priste, po të binin në duart e forcave të Ali Pashës.
Është i njohur tashmë akti heroik i dramës së grave suliote në Zallong. Më shumë se 100 gra, nëna, duke shtrënguar në gji fëmijët e tyre e të pasuara nga vajzat e tyre, u hodhën në humnerën e thepisur të shkëmbinjve të Zallongut.
Ato morën një vendim të shpejtë për t'u mbrojtur nga poshtërimi, turpi dhe tortura. U kapën dorë për dore dhe mbi sheshin e shkëmbit, ku ndodheshin, filluan të hedhin "vallen e vdekjes" së tyre, të cilën e frymëzonte një heroizëm i jashtëzakonshëm e i paparë, kurse tmerret e vdekjes tragjike të tyre përjetonin ritmin. Vallen e shoqëronte kënga patriotike, refrenin e të cilës patjetër e dëgjonte edhe qielli, e dëgjonin edhe shkrepat e Zallongut. Në fund të refrenit, të 100 gratë lëshuan një klithmë rrëqethëse e të gjatë, jehona e të cilës vazhdoi deri në fund të humnerës, ku përfunduan bashkë me krijesat e tyre, që e shtrëngonte fort në gjokset e përgjakura.
Gratë çame, pajtuese të gjaqeve
Një aspekt tjetër që spikat në veprimtarinë e gruas çame e që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve, ishte roli i ndërmjetësit të paqtimit që luante ajo në situata të rënda, kur plasnin mosmarrëveshjet e luftimet midis fiseve për sinor e gjakmarrje.
Gruaja çame, në këto raste, luante një rol jo të vogël në përfundimin e traktateve apo në luftime. Këtë mision fisnik të gruas çame e ka vërejtur edhe Pukëvili, por rilindësja çame, Elena Gjika, e shtrin edhe më tej shpjegimin e këtij fenomeni për veprimtarinë e grave në Shqipërinë e Poshtme në përgjithësi e të gruas çame në veçanti.
Dora D'Istria për rolin që luan gruaja shqiptare për qetësimin e gjakrave, e krahason me gruan gale, që sipas Plutarkut, "galët kishin për zakon të këshilloheshin me gratë e tyre për paqen dhe luftën dhe t'i përdornin ato për të fashitur mosmarrëveshjet e tyre...", (Pouqueville, Voyage, vepër e përmb., Vol.1, faqe 29, Dora D'Istria, "Rinia e një shqiptareje", f.38).
Gratë çame, bukuria e pashoqe
Karakterin e moralin e lartë të shqiptares çame dhe shpirtin patriotik të tyre, studiuesit nuk e kanë veçuar për asnjë çast nga bukuria fizike e shpirtërore të saj. Për ta, bukuria e gruas çame është e pashoqe. A.Panajodis, historiani grek i shekullit XIX, i cilëson çamët të hijshëm e të paraqitshëm, "burra të bukur, me shtat të gjatë...", (A.Panasotides, "Çështje folklorike...Çamët", në "Dedona", Kalendar i ilustruar Epirot, Viti I, 1896, Athinë, 1895, f.75).
Edhe kryekonsulli frëng në Janinë, Pukëvili, i ndodhur mes çamëve të Filatit, u befasua nga bukuria e femrave çame. Ai do t'i vlerësonte këto si "femrat më të bukura të Greqisë", (Pouqueville, Voyage..., vep.e përm., Vëll.I, kap.29).
Një autor tjetër, Bartholdy, në veprën e vet "Udhëtimi im në Greqi" në shënimet e tij, bukuria e gruas shqiptare zë një vend të rëndësishëm. "Në Athinë, shkruan ai, edhe pse nën një qiell mjaft të pastër, femrat kanë qenë më pak të bukura, në krahasim me të tjerat... por nuk mund të thuhet kështu për shqiptaret e bukura, që banojnë në qytetin e Artës, sepse ato janë një racë krejt tjetër", (Bartholdy, vep.e përm., f.97).
Kur bëhet fjalë për vlerësimet e autorëve të huaj rreth bukurisë së femrës shqiptare në Shqipërinë e Poshtme, nuk duhen lënë pa përmendur edhe konstatimet dhe vlerësimet e kronistit anglez, Çajrel. Ai vuri re tek shqiptarët e asaj krahine një bukuri të veçantë si tek burrat, ashtu edhe tek gratë. Ai në veprën e tij shkruan se suliotët, megjithëse u shpërndanë andej-këndej, në të katër anët e mbretërisë helenike dhe krijuan lidhje martesore të përziera me një racë tjetër, dhe kjo dukej e rrallë, prapëseprapë ata e ruajtën bukurinë e përsosur të shqiptarit dhe si burrat edhe gratë, kudo që ndodhen, janë pasues të denjë të gjyshërve të tyre: "Burra të gjatë dhe fizik të fortë, me fytyrë burrërore, mjekër leshatore, flokë të gjata, të lëshuara, zbukurojnë tiparet e tyre...", (Bartholdy, po aty).
Gratë suljote, ose "Perëndeshat e bukurisë!"
Autori anglez tek gruaja suliote vërejti se ajo megjithëse dukej si e plakur para kohe, nga vuajtjet dhe punët e rënda, prapëseprapë, bartte dëshmitë e një race të lashtë . Çajrël, duke u ndodhur në një dasmë suliote, pati rastin më të mirë që gruan suliote ta shihte në një ceremoni festive, të veshur me veshjen karakteristike, të zbukuruar hijshëm, që ndryshe nga paraqitja e saj e përditshme në punët e fushës, gjente rastin më të mirë të shprehte bukurinë dhe elegancën e saj. Përshtypjet që krijoi anglezi për dasmoret çame, ishin befasuese dhe nuk ngurroi t'i krahasonte gratë suliote me "Venusin e Miles" (Perëndeshën e Bukurisë). "Nusja suliote, dukej si një skulpturë e hijshme atleteje, me kyçet e duarve e të këmbëve delikate, me gjoksin e ngritur, me tipare klasike të fytyrës së saj ovale...", (Bartholdy, po aty).
Edhe studiuesja e shquar Elena Gjika, nga Parga, në veprimtarinë e gjerë të saj studimore, nuk len pa përmendur bukurinë e simotrave të saj shqiptare të Shqipërisë së Poshtme, duke u ndalur tek bukuria fizike e përkryer e tyre. Mes të tjerave, ajo shkruan: "Gratë e kësaj pjese të Shqipërisë, mund të kishin shërbyer si modele të Fidias dhe Praksitelit...", (Dora d`Istria, vep.e përm., f.204).
Për ta vazhduar më tej mendimin që trajtojmë, është me interes të përmend edhe dy vlerësime të autorëve të huaj për bukurinë e femrës çame. Së pari, është fjala për konsideratat që shpreh historiani biograf, Adam Volf. Ai përmend me admirim përshtypjet që pati nga një vizitë që i bëri iluministes shqiptare, Dora D'Istria. Gjëja kryesore që i tërhoqi vëmendjen, ishin sytë e saj të ndryshëm, buzëqeshja e ëmbël, qëndrimi i saj madhështor e i natyrshëm, fytyra fisnike që zbulonte energji, dinjitetin, shëndetin dhe zgjuarsinë, (Dora d`Istria, po aty).
Së dyti, Ibrahim Mensur Efendiu për gruan e Ali Pashës, Vasiliqinë, nga Pleshovica e Filatit, thotë: "Ishte një grua e bukur, afro 35-vjeçare, kishte një elegancë të çuditshme". (Ibrahim Mensur Efendi, "Kujtime për Ali Pashën", Tiranë, 2003, f.237). Ndërsa Dora D'Istria e cilësonte Vasiliqinë një pëllumbeshë të bukur të rrëmbyer nga foleja...
Këto tipare të gruas çame, ndoshta nuk do të krijonin një përfytyrim të saktë të hijeshisë së gruas shqiptare, që për Dora D'Istrian, "janë gratë më të bukura të gadishullit lindor… Mahnitesh me luginat e këndshme të Çamërisë, me bukuritë e virgjëneshave të saj me sy të zinj, flokët e mrekullueshme të të cilave, me ngjyrë të rreshkët në gështenjë, u rrëzohen gjer te thembra...", (Dora D'Istria, cituar më lart)…
Pas një shekulli tek shkëmbi i 100 Heroinave
Më 1 korrik të vitit 1990, familjarisht isha në Greqi. Prisja me padurim të gjeja rastin të shkoja në Zallong dhe në Sul. Këtë dëshirë për të shkuar në Zallong e më pas në Sul, ma plotësuan dy djem vendas, Pavllo dhe Vasili. Në një ditë të nxehtë të muajit korrik, u nisëm për në Zallong. Rrugën e bëmë kryesisht me makinë, por për të arritur në majën e Zallongut duhet të udhëtonim edhe me këmbë. Kur arritëm tek sheshi i vogël i Zallongut, majë malit, ku ngrihet lapidari madhështor që përjetëson heroizmin e grave suliote, më pushtoi një ndjenjë dhimbjeje dhe kënaqësie; dhimbje për fatin tragjik për viktimat e pafajshme në të gjitha kohërat, dhe një ndjenjë kënaqësie që ta njoh nga afër historinë e atij vendi të lavdishëm, që kanë habitur botën me qëndresën dhe shpirtin e lartë patriotik që kanë treguar. Ndërkohë iu afrova paksa buzës së humnerës, që të kallte tmerr e frikë. Ndjeva dhimbje dhe emocion. Më dukej se edhe pse kishin kaluar njëqind e ca vjet, jehona e këngës së grave suliote që ishin hedhur nga ai vend e që përcillte melodinë elegjiake të valles së vdekjes së heroinave të Sulit, vinin lehtë-lehtë nga shkrepat e honeve të humnerës në veshin tim dhe më zgjonin shumë kujtime e mbresa nga ato histori të shumta që kisha lexuar e dëgjuar për Sulin e suliotët.
Në fund të humnerës, në këmbët e shpateve të saj, ngrihet një manastir i bukur, dykatësh e me anekse përreth. Më shtynte një dëshirë e brendshme ta vizitoja me atë rast edhe atë vend të shenjtë kulti dhe të ndizja një qiri me respekt e nderim, jo vetëm për të rënët e Sulit, por për të gjithë viktimat e pafajshme që humbën jetën nga politikat e mbrapshta të pushtuesve dhe të kriminelëve që u bënë veglat e tyre të verbra.
Zbritëm nga mali i Zallongut dhe shkuam drejtë e në manastir. Fillimisht hymë në hyrjen e parë, që ishte një sallë e madhe dhe shumë besimtarë grekë zhvillonin ritet e tyre lutëse në qetësi të plotë e në një ambient të admirueshëm, që të impononte respekt të thellë për njerëzit dhe fenë. Pas pak na afrohet, si për të na shoqëruar, një prift i vjetër që i kishte kaluar të 80-vjetët. Ishte shumë komunikues dhe shprehte një mirësjellje të admirueshme. Fliste ngadalë e me shumë kulturë.
- Jeni i huaj?- më thotë.
- Po, vij për të parën herë këtu, iu përgjigja, plotësova një dëshirë të zemrës për të parë Zallongun historik të Epirit,- iu përgjigja.
Vura re se priftit i pëlqente ta zgjaste bisedën dhe nisi të më pyeste se çfarë kisha lexuar për Sulin. I përmenda një sërë autorësh grekë e të huaj dhe së fundi i thashë që kisha lexuar dhe librin e Foti Ikonomit, një prift nga Paramithia. Priftit i shkëlqyen sytë e tij të vegjël, kur zura në gojë priftin e Paramithisë.
- Bravo, bravo, më vjen mirë që keni lexuar një vepër të një prifti grek me shumë njohuri të thella e kulturë të gjerë në shumë fusha,- shtoi ai.
- Po, ai libër më ka krijuar një kënaqësi të veçantë dhe këtë pohim ia bëra me bindje të plotë,- i them.
Pas këtij dialogu të shkurtër, prifti nisi të rrëfejë ngjarje nga jeta e bëmat e suliotëve. Tregimet e tij ishin shumë interesante, por ngurroja të merrja ndonjë shënim, se kisha frikë se do t'i shkëpusja fillin e bisedës dhe do të ishte më i rezervuar për ato që kishte ndërmend të më tregonte. Prifti fliste rrjedhshëm dhe shumë qartë, që të jepte përshtypjen se kishe përpara një ciceron që shpjegonte historinë e Sulit e të suliotëve me shumë kompetencë. Nga ky bashkëbisedim spontan mësova shumë gjëra interesante, por më e veçanta që mësova nga ai, ishte kjo histori e shkurtër që lidhet me heroizmin e grave që u flijuan në shkëmbinjtë e Zallongut. Kur gratë me krijesat e tyre binin një nga një në humnerë duke kënduar e hedhur vallen e vdekjes, tha prifti, një fëmijë i vogël, djalë, shpëtoi pa u copëtuar nëpër shkëmbinj, duke ngecur në disa shkurre, pa iu shkaktuar asnjë plagë. Ai e gdhiu natën mes asaj shkretëtire shkëmbore, dhe të nesërmen, kur banorët vendas shkuan për të mbledhur trupat e copëtuar të grave dëgjuan një zë fëmije të ngjirur të ngecur në një gëmushë. Fshatarët e morën fëmijën dhe me përkujdesjet që treguan, djali u rrit. Gjetja e një fëmije të gjallë krijoi habi në të gjithë zonën e më tej. Asnjë nuk e besonte që të bjerë një qenie njerëzore nga një lartësi e tillë e të mbetet i gjallë. Rreth kësaj ngjarjeje që ishte e pabesueshme nisën të hapen fjalë në gojët e popullit e të besimtarëve, se në shpatet e malit të Zallongut ka një vend të shenjtë dhe njerëzit nisën ta frekuentojnë duke iu lutur Jezu Krishtit e Shën Mërisë t'u lehtësojnë vuajtjet e tyre. Më pas, në këtë vend të shenjtë u ngrit fillimisht një vend kulti për të krishterët e më pas u bë kjo ndërtesë e bukur kulti që frekuentohet shumë si nga besimtarët e krishterë ashtu edhe nga të tjerët, që kërkojnë mëshirën e shenjtorëve për t'ua lehtësuar vuajtjet.
E falënderova priftin përzemërsisht për kohën që humbi duke qëndruar me mua si dhe për informacionet shumë interesante në fushën e historisë për Sulin e suliotët që më dha dhe u ndava shumë miqësisht.
Ekzekutime masive të çamëve
Shpërngulja e çamëve nga trojet e tyre, u parapri nga një terror masiv, me persekucion e dhunë. Dëshmitë e kohës e arkivat zyrtare japin fakte të shumta për këtë. "Në Paramithi, në vendin e quajtur Selan, forcat greke nën komandën e një farë Daljanaqi nga Kreta, ekzekutuan 70 vetë nga paria e Çamërisë, midis tyre dhe hoxhën Hafuz Rasimin etj. Viktimat ishin nga fshati Dramës, Rrëzanj, Koriqan, Vratilë, Bedelen, Shëmërizë, Njihor, Skupicë (Paramithi), Nikolicanj, Grika, Petrovicë e Mininë. Vetëm në fshatrat e Filatit u mbyllën në Burgun e Janinës 34 vetë, ndërsa nga qyteti 10 të tjerë, midis të cilëve edhe Qamil Izeti, mësuesi i parë i shkollës shqipe. Arrestime të tjera pati edhe në kazanë e Margëlliçit të Reshadies (Gumenicës) etj. Forcat greke nuk kursyen as edhe banorët e fshatrave çamë të krishterë, siç ndodhi në Stanov (Frar), Shenicë e gjetkë", (A.SH., gazeta "Albania", Neë York, Nr.11 dhjetor 1919).
Krahas përndjekjeve dhe ekzekutimeve të individëve dhe grupeve, ishin të shumta edhe ndëshkimet ndaj bashkësive të tjera çame. Të njëjtin fat pësoi fshati Petrovicë, që u dogj i gjithi nga bandat greke, ndërkohë që popullsia e terrorizuar e cila mundi të shpëtojë u strehua në Filat, Paramithi e në Margëlliç, (AQSH, Fondi 252, viti 1925, Dos.131, fl.44).
Programe të gatshme u kryen edhe në fshatra të tjera të Çamërisë. U dogjën dhe u shkatërruan krejt fshatrat: Gardhiq, me 300 shtëpi, Dhragomia, me 200 shtëpi, Minina, me 65 shtëpi, në kazanë e Filatit u shkatërruan ndër të tjera Ninati, me 120 shtëpi, Markati, me 120 shtëpi, Janjari, me 150 etj. Është e tepërt të thuhet se aksione të tilla shoqëroheshin gjithnjë nga shpronësimi me dhunë i pronarëve shqiptarë dhe ngarkimi i tyre me taksa dhe angari të papërballueshme nga këta të fundit, (po aty, Dos.119, f.120-131).
Politika e terrorit ndaj popullsisë shqiptare u shtri dora-dorës edhe në viset e tjera të Shqipërisë së Poshtme, ku hynë trupat greke apo bandat kriminale të organizuara prej tyre.
Krahas dëshmive për dhunën e ushtruar ndaj popullsisë çame, menjëherë pas hyrjes së forcave greke në viset çame, njoftime të ndryshme flasin edhe për një valë shpronësimesh dhe emigrime të shqiptarëve të Çamërisë. Shumë familje çame emigruan në drejtim të viseve shqiptare sa në veri apo drejt Turqisë, Francës, Shteteve të Bashkuara e vendeve të tjera, (AQSH, Fondi 251, viti 1931, Dos.100, f.52-53).
Çamëve u hiqet e drejta e votës
Aneksimi i Çamërisë dhe i viseve të poshtme në vitin 1912-1913 shënoi fillimin e kalvarit të shqiptarëve çamë nën pushtimin grek.
Athina në parim i njihte çamët si minoritet dhe në të njëjtën kohë ia ngushtonte gjithnjë e më tepër të drejtat minoritetit shqiptar. Deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore minoriteti çam arriti të kishte në Parlamentin grek përfaqësuesin e saj, por në vitet që pasuan shqiptarët e Çamërisë nuk u përfaqësuan asnjëherë në Dhomën Legjislative Greke. Në fund të vitit 1922 kësaj popullsie iu hoq e drejta e votës, duke mos i konsideruar si qytetarë grekë. Qeveria greke, duke u bazuar në fenë e tyre muhamedane, bënte përpjekje për t'i quajtur ata turq, në mënyrë që t'i përfshinte në një shkëmbim të mundshëm. Ministria e Punëve të Brendshme Greke, në Fletoren Zyrtare Nr.317, datë 29 tetor 1925, publikoi një urdhëresë, me anë të së cilës u hiqej e drejta për të votuar myslimanëve çamë, duke i konsideruar si kontigjent i shkëmbyeshëm.
Në kundërshtim me Kushtetutën Greke ata nuk u trajtuan të barabartë as në pjesëmarrjen e tyre, as në strukturat ushtarake. Deri në fund të viteve 1920, çamët myslimanë nuk u thirrën nën armë. Në vitin 1928 nisi mobilizimi i myslimanëve çamë, por ata nuk shërbenin si ushtarë të rregullt, por përdoreshin në punë të rëndomta, si në ndërtimin e urave, të rrugëve e si stallierë në repartet ushtarake.
Mbyllen shkollat shqipe, nis shtetëzimi i pronave
Në këtë kohë, shqiptarët në Greqi kishin humbur të gjitha të drejtat. Qeveria greke nuk lejonte për shqiptarët në Çamëri asnjë shkollë në gjuhën amtare shqipe, ndërkohë që në të gjithë fshatrat e banuara prej tyre, ajo kishte hapur shkolla në gjuhën greke.
Në qendrat kryesore të Çamërisë, si në Filat, Paramithi e Margelliç u krijuan enkas zyra për të shtetëzuar pronat e myslimanëve shqiptarë, (Conference de Lausanne sur les Affaires du Prache Orient, 1922-1923). Tani, le të ndalemi më konkretisht me konfliktin që shpërtheu midis myslimanëve e të krishterëve për çështjen e pronave. E drejta e pronësisë e pronarëve myslimanë shqiptarë, ishte e lidhur me statusin minoritar të këtij grupi etnik dhe çdo cenim i pronës jo vetëm që krijonte një pabarazi ekonomike, por prekte dhe një të drejtë ligjore e sociale, në kuadrin e legjislacionit të shtetit grek.
Vendimi për zhvendosjen e popullsisë çame në Azi
Më 23 janar 1923 u nënshkrua Traktati i Lozanës. Në nenin e fundit të saj, përcaktohej shkëmbimi i popullsisë turke në Greqi, me atë greke në Turqi. Ky angazhim u konfirmua disa herë nga qeveria greke. Por në mënyrë të kundërligjshme u bënë shumë përpjekje të dhunshme nga qeveria greke dhe administrata lokale, që shqiptarët myslimanë me kombësi shqiptare të përfshiheshin në shkëmbim dhe të dërgoheshin në Azinë e Vogël. Tashmë ishte bërë e qartë për të gjithë se ishte planifikuar një strategji e tërë për shpronësimin e kolonizimin e pronave shqiptare, me refugjatët grekë të ardhur nga Azia e Vogël. Në mbështetje të kësaj ideje, Ministria e Bujqësisë Greke, më 1 tetor 1922, me anën e një Qarkoreje urdhëronte administratën e përgjithshme të Epirit, që"… familjet e refugjatëve të stabilizoheshin në pronat e myslimanëve shqiptarë", (AYE/A/5 (9). (Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit, MPJ Greke, Janinë 2 mars 1923). Njëkohësisht, me urdhër, nisi zhvendosja e çamëve nga shtëpitë e trojet e tyre. Ja si shkruan Krapsites:
"Qeveria greke, kishte planifikuar të vendoste në krahinën e Çamërisë, në pronat e shqiptarëve, 18.000 refugjatë grekë të ardhur nga Azia e Vogël. Ndërkohë, kontigjente kolonësh grekë, kishin nisur të vendoseshin në fshatin Gardhiq, Dhragomi, Karbunarë, Vole, Niste, Arpicë etj. Kështu p.sh., në fshatin Arpicë nga 300 shtëpi që kishte fshati, 250 i kishin zënë refugjatët, ndërsa shqiptarët u detyruan të sistemoheshin 3-4 familje në një shtëpi. (Vas.Krapsites, "Oi Mousolmanoi tsamides tis Thesprotias", Athina, 1986, f.33). Edhe në fshatrat myslimane të Shkallës (Filat), si në Picar, Muzhakë, Sollopi, Pjadhul dhe Sklav, u zaptuan me forcë nga refugjatët grekë, shtëpitë dhe pronat e myslimanëve.
Më 15 shkurt të vitit 1923 u lëshua një urdhëresë tjetër lidhur me sistemimin e të krishterëve pa tokë, sipas të cilit, tokat publike dhe ato në pronësi të myslimanëve shqiptarë, do të ndaheshin për t'u sistemuar refugjatët . Ligji i shpronësimit u vu në bazë të Kushtetutës Greke të vitit 1911 dhe hyri në fuqi para vitit 1923. Ky ligj nuk ishte gjë tjetër, veçse një grabitje zyrtare dhe ishte i mjaftë për t'i lënë shqiptarët pa bukë dhe t'i shtrëngonte të largoheshin nga Çamëria, ("Oi Mousolmanoi tsamides tis Thesprotias", Athina, 1986, f.33)…
Dhuna mbi popullsinë myslimane
Në skenarin e dhunës greke, më e goditura ishte popullsia çame e besimit mysliman. Ja si dokumentohet në AQSH: "...Përpara se Komisioni të arrinte në Çamëri (në fillim të vitit 1924), bandat greke të drejtuar nga kretasi Jani Mandi, Kollovci, Nikolla Qamo, Harilla dhe Vasil Mastora, bënin presion mbi popullsinë myslimane që t'i deklaronin Komisionit se ishin turq dhe donin të shkëmbeheshin, (AQSH, Fondi 251, viti 1923, " Dokumente për Çamërinë", dok.183, f.285). Kur Komisioni Miks arriti në Prevezë, zyrtarët e administratës lokale greke përdorën të gjitha format, që përfaqësuesit e Çamërisë të mos kontaktonin me anëtarët e Komisionit Miks për të parashtruar kërkesat në emër të popullsisë çame. Qeveria greke, për të realizuar planet e saj, nisi një valë arrestimesh dhe izolimin e përfaqësuesve të Çamërisë. Ja si pasqyrohet ky fakt në AQSH: "Goditja e parë ndaj patriotëve shqiptarë nisi në qendrat kryesore të Çamërisë: në Filat, Margëlliç, Gumenicë, Paramithi e Pargë. Në burgjet e Janinës dhe në kampet e internimit, dergjeshin njerëzit më të ndershëm të Çamërisë, si Musa Demi, Myftiu i Filatit, Mehmet Zeqirjai, Haki Musai, Mazar Dino nga Paramithia, Ymer Çapari nga Luarati, Jasin Sadiku nga Margëlliçi, Ymer Merishi etj.
…Më 2 qershor 1924, një i quajtur Llucaqis, torturonte banorët e fshatrave të Filatit, aq sa nga ulërimat e viktimave ishin traumatizuar gratë dhe fëmijët. Po kjo gazetë publikonte një korrespondencë me gratë dhe fëmijët, (AQSH, po aty).
Dëbimi i çamëve në shifra. Refugjatë grekë në trojet çame Sipas arkivave, në vitin 1925 e në fillim të vitit 1926, nga 3419 shtëpi myslimane në Çamëri, refugjatët grekë u vendosën më 1943 në shtëpi myslimane dhe në asnjë shtëpi të krishterë. Zënia e banesave, ullishtave, vreshtave, tokave prodhuese, kullotave nga refugjatët grekë, mori formën përfundimtare e solli pasoja të rënda në ekonominë e minoritetit çam.
Me ardhjen në fuqi të gjeneral Pangallosit, që e konsideronte Shqipërinë fqinje një aleate të mundshme ndaj rrezikut sllav, u ndërmorën hapa serioze në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me vendin fqinj. Ndër to mund përmendim vendimin për të shpërndarë silogjet vorio-epirote, që vepronin kundër Shqipërisë. Gjithmonë lidhur me problemin e çamëve myslimanë, ai urdhëroi ndalimin e vendosjes së mëtejshme të refugjatëve grekë në tokat e tyre dhe shpalli një amnisti të përgjithshme për të gjithë çamët e burgosur dhe të internuar nga qeveria greke . Me rëndësi të veçantë, ishte vendimi i qeverisë greke të Pangallosit për të lënë të lirë hapjen e shkollave shqipe në fshatrat e Çamërisë.
Qeveria shqiptare e përshëndeti qeverinë e Pangallosit për frymëmarrjen që u dha marrëdhënieve shqiptaro-greke, të cilat prej kohësh ishin të ngrira. Nga ana e tij Pangallosi, në një intervistë dhënë korrespondentit shqiptar në Athinë, më 14 shkurt 1926, theksoi: "Athina është e vendosur të ndëshkojë çdo veprim të keq në Greqi ndaj minoritetit shqiptar prej disa kokave të nxehta të papërgjegjshme".
Duke marrë në mbrojtje çamët myslimanë në Greqi, Pangallosi shprehu besimin se edhe qeveria shqiptare do të mbante të njëjtin qëndrim ndaj pakicave greke në Shqipëri. "Me pakica greke në Shqipëri, theksoi Pangallosi në deklaratën e tij për shtyp, kuptojmë grekofonët në Shqipërinë e Jugut dhe aspak jo ortodoksët shqiptarë, që nga raca e kombësia janë zotër në shtëpitë e tyre. Jemi kundër asaj teorie të gabuar, vijon ai, që çdo ortodoks ta quajmë grek", ( AYE, 1926-1927-1928, B/68/6. Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit për Ministrinë e Punëve të Jashtme Greke, Nr.41 (sekret), Janinë, 7 dhjetor 1926).
Por, rrëzimi i Pangallosit në verën e vitit 1926 e prishi klimën. Me ardhjen në fuqi të gjeneral Kondilit, çështja çame do të ishte problem kryesor i qeverisë greke. Athina nisi një tjetër kryqëzatë të re, për t'i detyruar myslimanët të largoheshin drejt Turqisë. Kështu, 280 familje çame nga Gardhiqi, Dhragomia, Kurtesi e nga Paramithia kishin kërkuar të linin vatrat e tyre e të vendoseshin në Turqi. Arsyet e vërteta të largimit të popullsisë shqiptare çame: "Ata, për të shpëtuar detyrohen të marrin udhën e mërgimit", (Arkivat Greke, gazeta "Kiriks", Janinë, 12 qershor 1921)…
Krimineli Metaksa shton reprezaljet ndaj çamëve
Dëshmi të kohës, por dhe dokumente të arkivave konfirmojnë se qeveria e diktatorit Metaksa, në vitin 1936, me politikën nacionaliste që ndoqi i shtoi edhe më tej masat diskriminuese për çamët. Ai e vuri në një survejim të plotë gjithë Çamërinë. Qeveria e diktatorit, duke menduar se kryeqendra e Çamërisë, Filati, gjendej përtej lumit Kalama, afër kufirit shqiptaro-grek, i dha prioritet për kryeqendër të Çamërisë, Gumenicës. Kështu që, Çamëria u bë qark dhe Gumenica qendër e saj. Qeveria e Metaksait i bëri këto ndryshime administrative, sepse nuk i shihte çamët si shtetas të besueshëm të shtetit helen. Opinioni i shëndoshë grek, konstatonte me dëshpërim se revanshi që kishte marrë Metaksai, i njohur për idetë e tij fashiste kundër minoritetit shqiptar çam, do të ishte me pasoja tragjike, jo vetëm për çamët myslimanë, por për të gjithë Greqinë. Në këto rrethana, në skenën politike greke dolën personalitete të njohur politikë si deputetët e Janinës, Jorgios Sp.Sakas dhe Kristo Vasili, të cilët i demaskuan planet djallëzore të Metaksait dhe të kabinetit të tij, për qëndrimet armiqësore dhe sjelljet diskriminuese që mbaheshin ndaj minoritetit shqiptar.
Dy deputetët grekë ishin kundër kufizimit të të drejtave te minoritetit shqiptar, kundër diskriminimit të tij dhe mosbesimit pa të drejtë që mbahej ndaj tij nga qeveria dhe administrata e Epirit. Dy zotërinjtë deputetë janinotë, kishin pasur raste të shumta kontaktesh me çamët e i kishin njohur mirë cilësitë e larta të tyre. Kjo i bënte ata e shumë grekër të tjerë, që të kishin ndaj myslimanëve shqiptarë në Greqi, një qëndrim absolutisht të kundërt me atë të qeverisë greke, që kishte mbjellë në çdo familje shqiptare pasigurinë, urinë dhe mjerimin, siç shprehej deputeti Jorgios Sp.Sakas: "Uria dhe mjerimi ka mbuluar popullsinë e Çamërisë. Ata nënshtetas të qetë, kot ngrenë zërin e tyre në të gjitha drejtimet". Dhe në vijim, deputeti Sakas sqaron shkakun e vërtetë të këtij mjerimi: "...Arsyeja është: kohë më parë, qeveria greke vuri në zbatim Ligjin e Reformës Agrare duke shpronësuar tokat e tyre. Tokat e tyre u shpronësuan dhe ata mbetën më duarbosh e duke u përballuar me urinë. Kanë të drejtë të protestojnë", (Arkiva Greke, gazeta "Kravji", Janinë, 18 korrik 1936).
Z.Sakas, i bindur se nuk ka asnjë mjet në dorë për të ndikuar në ndryshimin e atij realiteti të hidhur, nuk i mbetet gjë tjetër veçse t'i drejtohet qeverisë greke me një lutje prekëse: "...Në emër të popullit të uritur, në emër të drejtësisë dhe të humanizmit njerëzor, i lutem kryetarit të qeverisë t'i ndihmojë këta bashkatdhetarë, vëllezërit tanë me të cilët na ndan vetëm feja, por na bashkojnë po ato zakone të njëjta, e kaluara dhe e njëjta histori". Ai e përfundon artikullin duke i kujtuar qeveritarëve grekë se, "nuk duhet të harrojmë se edhe ata kanë të drejta në shtetin grek", ( Arkiva Greke, gazeta "Kravji", Janinë, po aty).
…Situata tepër e rënduar ndaj minoritetit shqiptar në Greqi vazhdoi deri në pragun e Luftës Italo-Greke. Athina kishte marrë sinjale nga Roma se një konflikt i armatosur do të ishte i paevitueshëm. Qeveria fashiste italiane, nën pretekstin se minoritetin shqiptar në Greqi kishte humbur të gjitha të drejtat e tij politike dhe ekonomike, e kërcënonte Greqinë që të bënte përmirësime, përndryshe ajo merrte përsipër mbrojtjen e të drejtave të tij, (Documenti Diplomatici Italiani "DDI", Nova Serie, V.5, Dok.429, f.411).
Por, siç do të vërtetohej më vonë, çështja e minoritetit shqiptar në Greqi ishte vetëm pretekst i Romës. Shkaku i vërtetë ishte ekspansioni i saj: pas pushtimit të Shqipërisë, më 7 prill 1939, ajo kërkonte ta shtrinte pushtimin e saj drejt Greqisë.
Fundviti 1940, përgjakja masive e popullsisë çame
Qëndresa dhe pjesëmarrja aktive në luftë kundër pushtuesve grekë në fundvitin 1940 për popullsinë çame, nuk do të ndryshonte skenarin helen për zaptimin e trojeve e shpërnguljen e dhunshme.
28 tetor 1940, fillimi i luftës
Italia sulmin e parë e drejtoi me artileri të rëndë kundër Filatit, në paraditen e 28 tetorit 1940. Kjo bëri që administrata lokale e qytetit, Komanda e Xhandarmërisë greke dhe arkivat e administratës, me ndihmën e çamëve nisin t'i largojnë nga qyteti për në vende ku ishin vendosur forcat greke të rezistencës, kryesisht ne rrethinat e qytetit të Paramithisë. Ndërkohë po atë ditë, Zambeta, komandanti i Xhandarmërisë së Filatit dhe postkomanda të tjera në Çamëri, kishin marrë urdhër që të arrestonin në çdo qendër të Çamërisë e fshat mysliman, parinë më të përzgjedhur të shqiptarëve çamë, (Jani Sarras, "Istoria tis periohis Igumenitsis 1500-1950", Athinë, 1985).
Ky veprim i Metaksait ishte një tjetër gabim i rëndë, që u pasua nga veprime të gjithfarëllojshme e të pakuptimta. Arrestimet e parisë çame, së pari, filluan në Filat dhe menjëherë u pasuan në të gjithë rajonin e Çamërisë. Të arrestuarit e parë, sipas arkivave shqiptare dhe greke (konsultuar vitet e fundit) nga paria e Çamërisë, ishin figura të njohur si antifashistët, si Musa Demi, Shuaip Metja, Myftiu i Filatit, Mehmet Zeqirjai, Sako Braho, Samet Murati, Shaban Demi, Gali Xhaferri etj. Të gjithë këta ishin nga Filati. Po kështu në Paramithi, nga fisi i Pronjatëve u arrestua dhe tregtari Hajredin Mergjyshi, Omer Murati, Qazim Reçi, Agim Reçi; në Gumenicë arrestuan Bido Dulen, në Grikohor, Ahmet Muhon, Mahmut Male etj. Kështu u veprua me parinë e fshatin Varfanj, Margëlliç, Volë, Arpicë, Karbunar, Skopjone etj.
Komandanti i Divizionit të VII-të të Epirit, gjeneral Kaçimitro, pyeti në një rast çamërit e mobilizuar për punë, por të paarmatosur, kur kishte filluar Lufta Italo-Greke, nëse ata do të bashkëpunonin me ushtrinë greke në luftë për të mbrojtur vendin. Çamët e mobilizuar, njëzëri dhe me vetëdije të plotë, iu përgjigjën se ishin gati të luftonin kundër armikut të përbashkët.
Çamët, përsëri përballë dinakërisë greke
Referuar dokumenteve arkivore të AQSH, të shteteve të ndryshme europiane, përfshirë dhe atyre greke (të cilave do u referohemi në vazhdim), pohimet që u përhapën në atë kohë nga qarqe të caktuara greke e që kanë ardhur deri në ditët tona, nëpërmjet shkrimeve të papërgjegjshme greke në librat e shkrimet e tyre, për bashkëpunimin e çamëve me pushtuesin, shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat historike.
Në këtë përfundim ka arritur edhe historiani grek, Niko Ziagkos (Zhanga), kur nënvizon: "Sikur shqiptarët çamë të ishin vrasës e kriminelë, do të ishin të zhdukur gjithë fshatrat e krishtere të Çamërisë, që ishin rreth fshatrave myslimanë", ( Niko G.Ziagkos, Anglikos..., Vëll.I, f.146).
Por grekët u hakmorën barbarisht, duke masakruar qindra çamë të pafajshëm. Arkivat shqiptare kanë mjaft dëshmi që e faktojnë këtë. Ja një prej tyre: " Ky qëndrim objektiv nuk ka asgjë të përbashkët me deklaratat publike të Stavridhit, oficer i Xhandarmërisë së Filatit, që në korrik të vitit 1940 i rrihte shqiptarët në mes të pazarit të Filatit, duke i akuzuar si agjentë të italianëve dhe i kërcënonte se nuk do të linte këmbë çami të gjallë", (AMPJ, Tiranë, dosja nr.42, viti 1944, f.87).
Akuzat dhe motivet e arrestimit të parisë çame, bien ndesh me traditën historike të çamëve dhe besnikërinë që treguan ata në mbrojtje të krishterëve, si dhe renditjen e qindra djemve çamë në Luftën Antifashiste.
Kështu, Muharrem Demi, Petri Musa Demi, Dervish Dajaka, Mustafa Dauti, Qamil Izeti, Ismail Hamiti, Gani Demi, Taho Sejkon, Teme Sejkon, Hilmi Seitin, Tahir Demin, Vehip Demin, Heroin e Popullit, Ali Demi, dëshmorin Bido Sejko etj., u inkuadruan që në fillim në batalionin miks (greko-shqiptar).
Vllehët në mbështetje të çamëve
Sipas dëshmive dhe dokumenteve arkivore, opinioni i shëndoshë grek e ai minoritar, që i njihte nga afër çamët, nuk pajtohej as me qëndrimet e qeverisë dhe të administratës lokale për veprimet e dhunshme që kishte filluar ndaj çamëve, as me shpifjet dhe akuzat pa bazë që hidheshin në adresë të shqiptarëve. Përkundër, vllehët ishin përkrah tyre në qëndresë. Një ndër figurat më të njohura vllehe në Gumenicë, që ishte i njohur e kishte emër të mirë në të gjithë Çamërinë e më tej, ishte Kristo Pituli. Ai, protestoi kundër qeveritarëve lokalë për gjuetinë e shtrigave që kishte ndërmarrë kundër çamëve të pafajshëm.
Në arkiva, nga Pitulët janë dhe shumë foto-dëshmi të kohës, mbi 100-vjeçare. Në njërën prej tyre paraqitet një grup luftëtarësh shqiptarë dhe vllahë në një marshim që i prin vllahu plak, Dhimo Pituli, i veshur me kostumin karakteristik të një arhondi vllah. Përmbajtja historike e kësaj fotografie
"Fotografia i takon fillimit të shekullit XX, afërsisht viteve 1902-1903. Në atë kohë Pitulenjtë ishin një fis i madh, me emër dhe me besë. Ata kishin tufa të mëdha bagëtish dhe shumë miq myslimanë e të krishterë në krahinën e Korçës, në Kolonjë e Leskovik, në Konispol, Delvinë, në Përmet dhe në të gjithë hapësirën çame. Dhimua, ishte i pari i fisit të Pitulenjve. Ai i kishte kaluar të 60-at, por ishte tepër i fuqishëm dhe energjik. Ai kishte krijuar lidhje të hershme jo vetëm me parinë e krahinave që përmendëm, por edhe me njerëzit e thjeshtë. Ai i mbante dhe i respektonte miqtë dhe kjo kishte bërë që të gëzonte besimin dhe respektin e të gjithë atyre që e kishin njohur. Ai ishte në lidhje të vazhdueshme me shqiptarët agallarë, se prej tyre blinte çdo vit kullotat për të dimëruar tufat e bagëtive, kur zbrisnin në vjeshtë nga malet", (marrë nga ASH, publikuar në "Çamëria", H.I. fq.129).
Pitulët, Dhimo Pitulit e djemtë e tij, në veçanti, që zënë një vend të nderuar në historinë e luftërave ballkanike përkrah forcave kryengritëse shqiptarë. kundër sundimit osman, si dhe lidhjet e kahershme të tyre me shqiptarët.
Pushtimi i Gumenicës e vrasja e Kristo Pitulit
Pushtimi i Gumenicës nga pushtuesit u shoqërua me veprime barbare. Qytetit iu vu zjarri dhe dyqanet e të krishterëve, kryesisht të Kristo Pitulit, po shkrumbëzoheshin me ç'kishin brenda. Këto veprime barbare revoltuan elementin e shëndoshë mysliman të fshatit Grikohor e për pasojë, Hizder Ahmeti me disa bashkëfshatarë të tij. si Hamid Mero, Sadik Beqiri e dhjetëra të tjera, arritën në qytet duke dhënë alarmin se flaka po përpinte dyqanet e myslimanëve. Komanda italiane dhe Hazis Çami, përballë presionit të çamëve dhe duke mos qenë në gjendje të dallonin se cilët ishin në të vërtetë dyqanet e të krishterëve, urdhëruan të ndalej djegia e qytetit. Falë ndërhyrjes së Hizder Ahmetit, u bë e mundur të shpëtojnë shumë dyqane të pronarëve të krishterë.
Djegia e Gumenicës, u përhap menjëherë në të gjithë Çamërinë dhe sapo Kristo Pituli e mësoi këtë, u nis nga Peshtani për të ardhur në qytet së bashku me nipin e tij, Vasil Pitulin. Pa mbërritur në fshat, Kristua me të nipin, Vasil, arrestohet nga forcat fashiste dhe nga disa elementë çamë, që ishin rekrutuar nga Skënder Çami dhe Hazis Çami dhe me pranga në duar, dërgohet në fshatin Grikohor, që Haziz Çami e kishte kthyer qendër të Komandës Italiane. Si seli e kësaj baze ishte bërë godina e fabrikës së vajit të Ahmet Muhos, një mik i vjetër i Hazis Çamit.
Arrestimi i Kristo Pitulit dhe nipit të tij, Vasil Pituli, u prit me zemërim nga myslimanët shqiptarë në Grikohor. Fill pas këtij lajmi të kobshëm, Hizder Ahmeti me disa bashkëfshatarë të tij, arriti në qendrën e Komandës Italiane dhe i kërkoi Hazis Çamit lirimin e tyre. Përpjekja e tij ishte e kotë dhe pa asnjë shpresë. Në këto rrethana ai mendoi një plan tjetër: ta merrte me lejen e komandës, qoftë edhe për një natë në shtëpi, Kriston me të nipin dhe ta përcillte për në zonat e lira. Hizdar Ahmeti, lidhur me këtë ka pohuar: "Ishin kohëra të vështira. Njerëzit me emër të Çamërisë ishin internuar dhe ndonjëri që kishte mbetur, ishte bërë e mundur falë përpjekjeve të shumta të Kristo Pitulit. Në këtë kohë, në Çamëri ligjin e bënin njerëzit e pandërgjegjshëm", (Dëshmi, libri "Çamëria", faqe 141). Edhe në këto situata të rënda, Hizdar Ahmeti tregon se bëri shumë përpjekje tek Haziz Çami për ta marrë Kriston në shtëpinë e tij me leje kthimi, por hasi në kundërshtim të prerë. Më pas Ahmet Muho ndërhyri tek Hazis Çami dhe Hizdra e mori me leje Kriston për një natë në shtëpinë e tij. Ai, me të arritur në shtëpi, ia tregoi Kristos planin që kishte bërë: ta largonte në drejtim të Peshtanit me njerëzit e vet dhe kur puna të kishte përfunduar plotësisht, të hapte lajmin se Kristua me të nipin ishin arratisur natën pa dijeninë e Hizdar Ahmetit.
Kristo Pituli e dëgjoi me vëmendje planin që kishte bërë miku i tij mysliman për ta shpëtuar dhe pasi e falënderoi me përzemërsi e mirënjohje, i tha Hizdar Ahmetit: "Hizdar, je agai i Grikohorit, një njeri me emër në të gjithë kazanë, i njohur për nder e besë. Unë kurrë nuk do të pranoj që ty të krijoj vështirësi e telashe me këta që na kanë zënë derën…Unë do të kthehem atje ku më more. Nuk kam frikë nga vdekja dhe nuk dua të më quajnë frikacak, po të arratisem", (Arkiva, nga "Çamëria", po aty).
Kristo Pituli kthehet në qendër të komandës dhe pas disa orësh, më 8 nëntor 1940, ekzekutohet nga Hazis Çami e pasuesit e tij, jashtë fshatit të Grikohorit, pranë bregut të detit. Aktin e shëmtuar të vrasjes së Kristo Pitulit, në shenjë mirënjohje e respekti popullsia çame e shprehu në një këngë, e cila këndohet edhe sot...
Vrasja makabër në Picar të Filatit
Operacionet që ndërmorën forcat greke, i detyruan italianët të tërhiqeshin më 17 nëntor 1940, duke lënë pas gjurmë të thella të invazionit barbar: vrasje, djegie, shkatërrime dhe përçarje. Në kohën kur Çamëria ishte në prag të çlirimit të plotë nga pushtimi fashist dhe tërheqjes së tyre drejt Konispolit, të ndjekur këmba-këmbës nga forcat greke, qeveria greke ndërmori një valë të re terrori e dhune kundër popullsisë shqiptare myslimane në Çamëri. U internuan në masë të gjithë meshkujt çamë nga mosha 17-vjeç e sipër, deri edhe pleqtë 70-vjeçarë. Ata u internuan nëpër kampet e ishujve grekë.
Edhe pse çamët ishin aktivë në luftën kundër pushtuesit, persekucioni grek vazhdonte skenarin për eliminimin pasuror e fizik të shqiptarëve të Çamërisë, mbështetur e shoqëruar me një propagandë të egër nacionaliste, etnike e fetare.
...Mes dhjetëra episodeve tragjike e të dhembshme të dokumentuara në arkiva, veçojmë një prej tyre, atë të fshatit Picar të Filatit, një fshat i madh shqiptar i banuar kryesisht nga myslimanë shqiptarë. Krejt pa shkak, kapet një ditë hoxha i fshatit dhe bashkëfshatari i tij, Omer Dema, e me katër të shtëna ekzekutohen në mes të ditës në periferi të Picarit. Rreshteri, Spiro Kustiqi, i togës së dytë të një njësiti grek, në librin e tij "Kujtimet e një ushtari 1940-1941", që e botoi në vitin 1944, shkruan:
"Kapteri Lianopuoli me ushtarin Kosta Hajrudhi nga Pleshovica, shoqëruan hoxhën me një shqiptar tjetër nga Picari dhe i vranë me urdhër të nënkolonelit nën akuzën "për veprimtari antigreke". Ata u akuzuan se kishin shkelur ikonat e kishave dhe flamurin grek".
Më pas, vetë burimet greke shkruajnë se dy nga ata që u vranë, nuk kishin asgjë të përbashkët me akuzat që u ishin veshur, por ishin njerëz të ndershëm dhe dashamirës të krishterëve.
"...Hoxha u vra, vetëm e vetëm se ishte një klerik mysliman, ndërsa Omer Dema u ekzekutua për ambicie personale, që kishte një i krishterë kundër tij. Shkelja e ikonave dhe e flamurit grek ishte një trillim... Përkundrazi, që të dy (myslimanët) ishin njerëz të mençur dhe ushqenin ndjenja dashamirësie për të krishterët", ( J.Sarras, vep.e përm., f.630).
Vrasjet e çamëve të pafajshëm vazhduan: në fshatin Ledhëz, në vendin e quajtur "Vigleza" në një kodër të fshatit, ushtarët grekë vrasin dy udhëtarë nga fshati Mazrrek, që shkonin për në shtëpinë e tyre, (J.Sarras, po aty).
Është koha që në Çamëri u shkallëzuan veprime të pashembullta të dhunës dhe grabitjet kundër shqiptarëve. Shembull domethënës i terrorizmit grek, është vrasja e vëllait të Bido Dules, Idrizit, bashkë me të dy djemtë e tij, njeri 25 dhe tjetri 22-vjeç. Para se ta vrisnin, xhelatët detyruan Idrizin të hapte një gropë të përbashkët për djemtë e masakruar para syve të tij. Ndërkohë edhe në fshatin Grikohor vranë Avdi Mazen dhe Jaho Idrizin. Padrejtësitë dhe dhuna kundër myslimanëve vazhduan në forma të ndryshme. Myslimanët që përjetonin dramën e terrorit u drejtoheshin xhelatëve: "Pse na vrisni, çish u bëmë"?
Ndërkohë të krishterët ishin vërsulur në fshatrat myslimane dhe grabisnin çdo gjë në shtëpitë dhe pronat e myslimanëve. "Disa të krishterë të pandërgjegjshëm, - shkruan historiani grek, Jani Sarras,- lojtën menç. Grabitjet e shtëpive, grabitjet e kafshëve bëheshin hapur, si dhe përdhunimet e vajzave dhe të grave me emër të familjeve çame. Shumica e këtyre aktorëve kriminelë,- vijon më tej autori,- prej vitesh kanë vdekur. Ata të paktën që jetojnë do t'i kujtojnë ato ngjarje të shëmtuara dhe do t'i vrasë ndërgjegjja e do pendohen për këto ngjarje, që bëheshin nën bekimin e shtetit, (J. Sarras, vep. e përm., f.631-132).
Kërkesa e çamëve për bashkimin me Shqipërinë
Nisur nga rrethanat gjeo-historike, përballja me asimilimin e dhunshëm deri në masakra makabre, për popullsinë çame, dashuria deri në vetëmohim për vendlindjen ka qenë gjithmonë evidente. Këtë e dëshmojnë qartë arkivat e kohës dhe dëshmi të shumta. Ndërsa për studiues e shkencëtarë të huaj, mënyra e ndërlidhjes çamë-vendlindje, është ndër më të veçantat në Ballkan dhe Europë.
Të huajt për dashurinë e çamëve për vendlindjen
Të huajt, kanë vërejtur te çamët një veçori esenciale: dashurinë për vendin e tyre. Lidhur me këtë, Pukëvili thotë: "Çamët, vendin e tyre e duan me entuziazëm. Kur flasin për të, e vënë mbi vendet e tjera. Vështrimi i tyre vete kurdoherë mbi malet e Epirit", (Pouqueville, "Voyage", Vëll.I, Kap.29, vep.e përm., Vëll.III).
Ndërsa Bartholdy, që ka qëndruar pranë çamëve në ditë të vështira, tregon se "...çamët nuk ishin nënshtruar kurrë nga Turqia e në çdo kohë në Paramithi e rrethinat e saj mund të dilnin 2000 luftëtarë", ( Bartholdy, "Voyage en Grece", (1803-1804), vëll.II, f.243).
Ka shumë shembuj e vlerësime që shprehin lidhjet e shqiptarëve çamë me fatet e vendit të tyre, pa marrë parasysh vështirësitë dhe rreziqet, vendet ku ndodhen dhe funksionet që kryejnë. Le të kujtojmë se shqiptarët e Çamërisë, të emigruar pas pushtimit të vendit të tyre nga qeveria greke (1912-1913), nisen të zhvillojnë një veprimtari të dendur patriotike e politike, për të sensibilizuar diplomacinë e Fuqive të Mëdha për çështjen e Çamërisë. Kjo kërkonte një organizim të ri dhe një strategji të qartë politike, madje dhe gjetje të figurave më të spikatura e më të përkushtuara të politikës e të çështjes çame.
Viti 1918. Organizimi i parë i Çamërisë
Hapin e parë drejt një organizimi të ri, çamët e hodhën në Ëorçester Mass të SHBA, në fillim të vitit 1918, duke formuar Shoqërinë "Çamëria" dhe u inkuadruan në Partinë Politikeose siç quhej ndryshe, Partia Kombëtare Shqiptare. Në krye të Shoqërisë "Çamëria" u zgjodhën patriotë me zë të Vorçesterit, si Haxhi Murat Çami, nga Spatari i Filatit, Mesut Çami, Beqo Kushi (Izeti) nga Spatari, Jasin Isufi nga Filati, nipi i Haxhi Muratit, Mit`hat Margëlliçi, Malo Çeço nga Filati etj. Degë simotra të saj u krijuan nga çamët, brenda një kohe të shkurtër, edhe në qytete të tjera të Amerikës, (gazeta "Albania", Ëorçester Mass, dt.18 shkurt 1918).
Hapjen e Konferencës së Paqes në Paris (janar 1919) Partia Politike dhe Shoqëria e Çamërisë në SHBA e shihte si një moment të favorshëm për të sensibilizuar administratën amerikane dhe për të influencuar në qëndrimet që do të merrte ajo në Konferencën e ardhshme të Paqes, në favor të zhdukjes së padrejtësive të bëra në kurriz të popujve që ajo kishte marrë përsipër mbrojtjen e tyre...
Ndërkohë, drejtuesit e Shoqërisë së Çamërisë në SHBA i drejtuan një notë presidentit Uillson, ambasadorëve të Anglisë, Francës e Italisë në Uashington, në të cilën u bëhej prezent situata e rëndë që përjetonin çamët shqiptarë nga dhuna që ushtronte qeveria greke dhe u kërkonin të ndërhyhej për çlirimin e tyre, (ASH, gazeta "Albania", Ëorçester Mass, dt.18 shkurt 1918).
Kërkesa çame Uillsonit: "Çamëria të bashkohet me Shqipërinë"
Në vijim të kësaj letre, disa nga drejtuesit e Shoqërisë "Çamëria", Beqo Kushi (Izeti) nga Spatari, Isuf Hyseni nga Gumenica, Omer Bako nga Paramithia, Refo Çapari nga Luarati, Gazali Dino nga Preveza, në emër të popullsisë çame, me 24 janar 1919, i drejtuan një letër presidentit Uillson, kryetarit të delegacionit japonez, Aojanit, Kryetarit të Konferencës së Paqes, Klemansonit dhe kryeministrit anglez, Lloyd Xhorxhit, me anën e të cilës shprehnin dëshirën e popullsisë çame që "Çamëria të bashkohej me Shqipërinë", (ASH, gazeta "Albania", Ëorçester Mass, dt.18 shkurt 1918).
Të njëjtën përmbajtje kishte edhe një parashtresë tjetër, që u hartua nga një përfaqësi çame: Asaf Çami, Ahmet Çamëria, Qamil Preveza dhe A.Ajdonati, drejtuar Kryetarit të Konferencës së Paqes, (AQSH, Fondi 251, viti 1919, Dos.14, fl.42. Një kopje e kësaj letre iu dërgua presidentit Uillson dhe kryeministrit anglez, Lloyd Xhorxh).
Shqiptarët çamë, tërë shpresat e tyre në mbrojtje të çështjes çame i kishin varur tek presidentit amerikan, Uillson. Në kohën kur kishte filluar Konferenca e Paqes në Paris, Shoqëria Çame, nëpërmjet kryetarit të saj, Beqo Kushi (Izeti) i dërgoi një letër të gjatë presidentit të SHBA, Uillson, në Paris, ku ndër të tjera i lutej që të përdorte tërë autoritetin e Shkëlqesisë së Tij mbi bazën e parimeve të shenjta të kombësisë dhe të vetëvendosjes, që të korrigjoheshin vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës. Në vijim, Beqo Kushi i bënte të njohur Presidentit amerikan se krahina e Çamërisë banohej prej një popullsie që ishte me autoktoni shqiptare dhe së fundi, i lutej z.Uillson që kjo popullsi të çlirohej nga zgjedha greke dhe të bashkohej me shtetin amë. Beqo Kushi e përfundonte letrën, duke i vënë në dukje Presidentit amerikan domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemit të Çamërisë, se "nëse për një arsye apo një tjetër kërkesat e drejta të përfaqësuesve të Çamërisë. nuk do të merren parasysh dhe Çamëria do të mbetej nën zgjedhën greke, nuk do të kishte kurrë paqe në Ballkan derisa të rrojë edhe shqiptari i fundit", (AQSH, Fondi 251, viti 1919, Dos.14, fl.42)…
Gjithashtu, në të njëjtën kohë, iu dërgua edhe një telegram tjetër nga shqiptarët e Amerikës përfaqësuesve të Treshes më të madhe në Paris . Ndërkohë edhe Haxhi Murat Çami, duke shfrytëzuar lidhjet e tij miqësore me një mik të presidentit Uillson, i cili ato ditë do të nisej për në Paris, i dërgoi një letër në emër të çamëve të emigruar në SHBA, ku kërkonte mbrojtjen e çështjes çame, (po aty…).
Gratë çame, letër bashkëshortes së presidentit Uillson
Lejla Dino, e bija e Rasih Dinos, që në atë kohë ishte Kryetare e Grave Shqiptare Jashtë Vendit, duke shfrytëzuar njohjen personale me zonjën e presidentit Uillson, i drejtoi një letër gjatë qëndrimit të çiftit presidencial në Paris. Lejla Dino, e para grua çame që njohim deri sot u drejtohet figurave më në zë të politikës botërore, për mbrojtjen e çështjes shqiptare në përgjithësi e të asaj të Kosovës e të Çamërisë në veçanti. Bija e Çamërisë, në atë letër, ndër të tjera shkruante: "...Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria që nënat shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhimshurve të tyre të rrekullohet nën zgjedhën e shtypësve të huaj, kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do t'na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur. Në këto çaste, shtetet fqinje të Shqipërisë duan t'i aneksojnë vende të tokës sonë të dashur ose që të marrin prej nesh indipendencën tonë politike, por jemi të sigurt se lavdia e ndjenjave të larta dhe njerëzore të shoqit tuaj, dhe me ndihmën tuaj, këto gjëra nuk do të bëhen dot dhe se do të kemi për së afërmi Indipendencën tonë, me anën e së cilës do të marrin fund vuajtjet tona". Dhe më tej, vazhdonte: "Qindra-mijëra prej punëtorëve shqiptarë, të cilët u shtrënguan të lenë shtëpitë e tyre dhe të refugohen në Amerikën tuaj të lirë, shpresojmë nxehtësisht se atdheu i parë i tyre, provinca e Kosovës dhe e Çamërisë, të cilat u ndanë padrejtësisht nga Shqipëria, më 1913... do të lirohen..., (ASH, Publikuar në "Albania", 1 janar 1919).
Ide të njëjta si ato të letrës së Lejla Dinos, përcillte edhe një memorandum i hartuar nga figurat më të spikatura të mbrojtjes së çështjes çame, që iu dërgua Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Punëve të Jashtme të të katër fuqive fituese: SHBA, Anglisë, Francës dhe Italisë.
E veçanta e këtij memorandumi, ishte se ai bënte edhe një histori të shkurtër të Çamërisë: shtrirjen, kufijtë, si dhe popullsinë autoktone të asaj krahine shqiptare. Memorandumi nënshkruhej nga Dr.Asaf Çami, Mazar Dino nga Paramithia, Rexhep Plaku dhe Aqif Plaku nga Konispoli, Muharrem Rushiti nga Koska e Filatit, Mehmet Sejko dhe Hamid Braho nga Filati. Ky memorandum u përcoll më 25 tetor 1919, (po aty).
Një ndjenjë e fuqishme e lidhjeve të çamëve me fatet e Çamërisë dhe të vëllezërve të tyre çamë, u shpreh fuqishëm në vitet '20-'30 të shekullit të kaluar. Qeveria greke, pas Traktatit të Lozanës (janar 1923), përhapi lajme se do të dëbonte nga krahina e Prevezës dhe e Janinës aq myslimanë, sa i nevojiteshin për të sistemuar refugjatët grekë që vazhdonin të vinin nga Azia e Vogël. Në këtë kuadër qeveria greke planifikoi me anën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shpërnguljen, fillimisht të dhjetëra-mijëra myslimanëve shqiptarë çamë, dhe në shtëpitë e tyre do të vendoseshin po aq refugjatë grekë.
Ndërkohë nga ana e autoriteteve lokale greke kishte filluar një fushatë propagandistike, veçanërisht në kazatë e Paramithisë, Margëlliçit, Filatit e Gumenicës, për t'i detyruar myslimanët shqiptarë të linin trojet e tyre dhe të shkonin në stepat e thata të Anadollit...
Historia e marrëdhënieve të çamëve myslimanë me të krishterët gjatë pushtimit fashist të Greqisë, duhet parë, gjykuar dhe vlerësuar mbi bazën e dokumentacionit të gjerë të kohës si dhe të vërtetave të pamohueshme. Është fakt i njohur se në këtë kohë çamët myslimanë dhe të krishterët u gjendën në krah të njeri-tjetrit për t'u mbrojtur nga elementët keqbërës dhe të pandërgjegjshëm. Masat e para të parisë së fshatrave myslimanë e të krishterë filluan që në vitin 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Duke u mbështetur në traditat e hershme shqiptare, midis tyre u krijuan besëlidhje.
1940, besëlidhja myslimano-krishtere e çamëve
Besëlidhja e parë midis myslimanëve e të krishterëve ishte ajo që u krijua në kazanë e Margëlliçit, në vitin 1940. Sipas kësaj besëlidhjeje, fshatrat myslimane të Margëlliçit dhe fshatrat e krishtera të Frarit, Shenicës, Livadhiasë, Llurit etj., do të zinin pozicione të përbashkëta, për të sprapsur çdo kërcënim që do t'u vinte fshatrave të tyre. Madje u caktuan dhe pikat ku do të ziheshin pozicionet. Vijat mbrojtëse do të ishin në vendin e quajtur Fuzjat, një pikë strategjike që kontrollonte çdo hyrje e dalje ne atë zonë, si dhe vijën Arpice-Aji.
Besëlidhja u shtri edhe në mes të fshatrave të kazasë së Paramithisë, si dhe në mes të fshatit Kurtes dhe fshatit të krishterë Draganj.
Një besëlidhje e fuqishme ishte edhe ajo e krijuar në kazanë e Filatit; madje që në kohën e sundimit osman. Në lindje të qytetit të Filatit kishte katër fshatra të krishtere: Fanasomeri, Finiqi, Jeromeri dhe Sidheri, që njiheshin me emrin KALLOHOR (fshatra të mira). Banorët e krishterë të këtyre katër fshatrave dalloheshin si njerëz punëtorë e të ndershëm, bujarë e mikpritës dhe shumë korrektë me myslimanët. Në vitin 1940, kur qeveria bëri internimin e parë të parisë së myslimanëve të Çamërisë, disa të krishterë të fshatrave të thella të Filatit menduan se u erdhi çasti i volitshëm për të plaçkitur pasurinë e familjeve çame të pambrojtura. Ishin fshatarët e krishterë ata që i morën në mbrojtje fshatrat myslimane të Filatit dhe me ndërhyrjen e tyre, u arrit që të mbroheshin shumë familje myslimane…
Masakra greke: Kristo Pituli përkrah çamëve
Paria e të krishterëve në Çamëri, e frymëzuar nga dëshira për të bashkëjetuar në harmoni dhe në një fqinjësi të mirë me minoritetin çam jo vetëm mori në mbrojtje çamët myslimanë nga elementët keqbërës, por shkoi edhe më tej. Kështu p.sh., Kristo Pituli, përfaqësues i njërës prej familjeve krishterë më në zë të Çamërisë dhe në të gjithë Greqinë, në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë së Metaksait kundër minoritetit shqiptar çam, shkoi në fshatin Grikohor, pranë miqve të tij myslimanë dhe me sa do të mundte, do të dilte në mbrojtje të tyre. Ai aty gjeti komandantin e Korofillaqisë së rajonit, Vardhallaqin, një grek nga thellësitë e Greqisë, i sapoemëruar në postin e Komandantit të Rajonit. Kristo Pituli, kur mësoi se misioni i komandantit të Korofillaqisë në fshatin Grikohor ishte për të arrestuar parinë e fshatit e për t'i nisur menjëherë në internim, iu drejtua:
- Komandant! Ç'e mirë të solli në këtë fshat, që ka vetëm njerëz të mirë e punëtorë?
- Punët e qeverisë, zoti Pituli,- iu përgjigj ai.
- Përpara sesa ju të kryeni urdhrat e verbra të qeverisë, të na pyetni edhe ne, që kemi njohje të gjatë dhe bashkëjetesë shekullore me ta. Ku i gjetët ju këta elementë të rrezikshëm, që i keni futur në listat tuaja të zeza dhe kërkoni t'i internoni? Nëse jam unë i rrezikshëm për qeverinë greke, aq janë të rrezikshëm çamët e Grikohorit dhe të gjithë Çamërisë,- iu drejtua Kristo Pituli.
Më pas, vazhdoi: "Vendimi që keni marrë për të internuar myslimanët e këtij fshati, nuk është i drejtë. Ju jeni të huaj. Sot jeni këtu, nesër shkoni, ndërsa ne kemi rrojtur e do të rrojmë së bashku me ta. Ne nuk duam që gjynahet tuaja t'i paguajmë ne", (Jani Sarras, vep.e përm., f.617).
Si nisi spastrimi masiv i Çamërisë
Në skelën e vogël të limanit të Gumenicës, ishin grumbulluar elita e çamëve nga Filati, Paramithia, nga Grikohori e Varfanji, nga Margëlliçi e Nista, nga Skopjona e Vrohonaji, nga Dolani e Globoçari, nga Versela e Peshtani, nga Grava e Luarati etj. Priteshin vetëm anijet greke, që të niseshin për në ishujt e largët të Greqisë.
Kristo Pituli dhe shumë të krishterë të tjerë të mençur, i shihnin të brengosur këto skena të turpshme të qeverisë greke. Në kohën kur shumë nga miqtë e tij çamë i kishin prerë lidhjet me familjet dhe të afërmit e tyre dhe të dëshpëruar pritnin nisjen, që nuk e dinin se ku do të përfundonin, në mes tyre shkon Kristo Pituli. Ai përqafohet me ata që ishin pa asnjë mbrojtje, u jep kurajë dhe ndërkohë fut duart në xhepat e tij dhe pa e parë njëra dorë se ç'kishte tjetra, u thoshte me zë të ulët: "Merri se mos të duhen rrugës". Dhe për të mos i prekur agallarët e vendit në sedër, shtonte: "Jo se zotrote nuk ke, por nuk e keni menduar se do të niseshit për larg"...
Internimi i çamëve bëri që popullsia e mbetur në Çamëri dhe kryesisht gratë, fëmijët e të moshuarit, të përballen në raste sporadike me dhunën e plaçkitjet nga elementë të veçantë të krishterë. Por, njëkohësisht, të dallojë e të jetë në një mbrojtje e dashamirësi masive të komunitetit të krishterë në fshatrat e qytetet e Çamërisë.
Si u mbrojtën nga pushkatimi 500 gra e fëmijë çamë
Përpjekjet e qarqeve shoviniste greke asnjëherë nuk arritën që me propagandën e tyre ta zëvendësonin dashurinë dhe respektin e sidheriotëve për myslimanët, me urrejtje e dasi fetare. Përkundrazi. Të krishterët e fshatit Sidher asnjëherë nuk u pajtuan me qëndrimet antinjerëzore e barbare, që ndërmorën forcat qeveritare greke dhe bandat e Napolon Zervës. Sidheriotët e ndiqnin me dhembje e dëshpërim dramën çame dhe përpiqeshin të ishin pranë tyre edhe në momentet e vështira, për t'u ardhur në ndihmë. Sidheriotët, kur mësuan se bandat e Napolon Zervës bënin reprezalje mbi popullsinë çame në Filat, duke vrarë gra, plaka e fëmijë apo përdhunonin vajza e nuse të reja, u ngritën në mbrojtje të popullsisë së pambrojtur myslimane. Kur sidheriotët mësuan se në shkollën e Filatit ishin izoluar 500 gra e fëmijë çamër dhe nga çasti në çast përgatitej nga edeistët ekzekutimi i tyre në një varr masiv, burrat dhe gratë e Sidherit u rreshtuan para shkollës dhe me këmbënguljen e tyre të vendosur, deri në përleshje me forcat greke e paramilitarët, u arrit që viktimat të shpëtonin dhe të përcilleshin drejt kufirit shqiptar. Banorët e Sidherit, me qëndrimin e vendosur të tyre, arritën ta marrin për në shtëpitë e tyre në Sidher, gratë, vajzat dhe fëmijët myslimanë të fshatit Galbaq, që gjendeshin të izoluara në shkollën e Filatit.
Ndërkohë, sipas dokumenteve arkivore të kohës e dëshmive të viktimave të mbijetuara, paria e fshatit të Sidherit pas disa javësh, me anën e djemve të fshatit, i përcolli gratë e fëmijët drejt Sarandës...
Paralajmërimi i shpërfillur...
Fill pas masakrës që kryen bandat e Napolon Zervës kundër myslimanëve shqiptarë në Paramithi më 27 qershor 1944, paniku pushtoi gjithë banorët e Çamërisë. Sipas dokumenteve arkivore, Dhimitrulla, nje grua fisnike, e dërguar nga paria e Finiqit, shkon në Filat dhe lajmëron bashkatdhetarët çamë: "Të dashur vëllezër myslimanë! Jam e dërguar nga paria e Finiqit. Jam e porositur t'u them: Mos dëgjoni fjalët e askujt! Të gjithë ju duhet të largoheni si njerëz, se vendimi është se edhe macet tuaja do t'i zhdukin", ("Agapitemoi adhelfia othomani, ime opostelmeni apotin epitropi tou Finiqiou. Min akusete ta lloja tou kathena. Oli esis na fijete san anthropi, olla qe tis gatesas tha tin sfaksun...").
Musa Demi, një nga prijësit e Filatit dhe bashkëpunëtorët e tij e falënderuan vajzën për njoftimet që u përcillte nga miqtë e tyre dashamirës të krishterë dhe i thanë asaj t'u përcillte atyre mirënjohjen jo vetëm të parisë, por të gjithë myslimanëve të Filatit.
Paria e Filatit, me gjithë sinjalet tepër alarmuese që mori, nuk ndërmori asnjë veprim për të boshatisur qytetin dhe fshatrat dhe për të emigruar drejt Shqipërisë. Arsyeja ishte se informacionet që merrnin, ishin të turbullta dhe kontradiktore. Ato shpresonin shumë se krimet e Paramithisë nuk do të përsëriteshin në Filat, edhe për një fakt tjetër: Myftiu i Janinës kishte marrë premtimin nga Kryetari i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Lambert, se çamëve do t'u sigurohej jeta, nderi dhe pasuria. Këtë na e bën të njohur historiania, Georgia Kretsi, një njohëse e mirë e problemit çam në vitet 1913-1960. Ajo ka shkruar: "Myftiu i Janinës iu lut Kryetarit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, që të ndërhynte për të liruar çamët që ndodheshin në kampet e përqendrimit të qytetit të Paramithisë e të Margëlliçit. Në vijim të artikullit të saj, historiania na bën të njohur përgjigjen që i jepet myftiut të Janinës, në gusht të vitit 1944, nga kryetari i Kryqit të Kuq, Lambert: (Georgia Kretsi, "The Secret.Post of the Greek-Albanian Borrlands. Cham muslim Albanians percpestives on a conflict over historical accountability and current rightes", artikull në "Ethnologia Balkanika", vol.6, viti 2003, f.183, cituar sipas Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë (AYE) 1943-1944/2, Lambert to the Comitte representing the muslims of Chameria, 08.07.1944).
Pas kasaphanës që kryen bandat e Napolon Zervës në Paramithi, Napolon Zerva me shtabin e EDES-it e në konsensus të plotë me oficerët britanikë, do të fillonte kundër popullsisë myslimane spastrimin etnik brutal. Këtë fakt, siç vë në dukje historiania, G.Kretsi: “Pas pushtimit të Paramithisë sinjali për dëbimin e çamëve ishte dhënë. Në konsensus të plotë të EDES-it me oficerët britanikë, filloi spastrimin brutal etnik”, (G.Kretsi, “The Secret Post of the Greek-Albanian...”, f.182-183).
Arkivat që zbulohen tani vonë dhe botimet bashkëkohore, tregojnë për prapaskenat e kurdisura për shfarosjen e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë. Në këtë kuadër, del gjithashtu se sa djallëzore dhe keqdashëse ishin “garancitë” që jepte Kryetari i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
...Përpjekja e shumë të krishterëve për t’iu gjendur pranë myslimanëve në momente të vështira, është shprehje e lartë solidariteti, që shpreh dashuri dhe respektin e krishterëve ndaj myslimanëve. Burimin e vërtetë të saj e gjejmë tek marrëdhëniet e tyre, që tradicionalisht kanë qenë shumë të mira, pavarësisht nga presionet politike të qarqeve të caktuara, që synonin përçarjen e këtyre dy komuniteteve.
Dhimbja e të krishterëve për bashkëkombësit myslimanë
Nga mesi i muajit maj të vitit 1944 tensionet politike në Çamëri u rritën. Forcat e EDES-it ishin afruar në rrethinat e Paramithisë dhe përbënin një kërcënim serioz për popullsinë myslimane shqiptare të Çamërisë. Në këto rrethana, shumë familje shqiptare të fshatrave në rrethinat e Paramithisë, Gardhiqit, Dhragomisë, Skupicës, Karbunarit, Nihorit, Mininës, Vratilës etj., u detyruan të lenë fshatrat e tyre dhe të shkonin për t’u strehuar në zonat çame, që ishin pranë kufirit shqiptaro-grek. Komanda e lartë e EDES-it, më 24 dhe 25 qershor 1944, i bëri thirrje popullsisë myslimane të qytetit, që të mos lëvizte nga qyteti se “pas largimit të pushtuesve, popullsia, pa dallim feje e kombësie do të jetonte në paqe e në qetësi” . Në atë deklaratë Napolon Zerva u premtonte shqiptarëve, se “nuk do t’u prekej as jeta, as nderi dhe as pasuria”, ( Krapsites, “Oi moussulmanci tsamides tes Thesprotias”, Athinë, 1986, f.128 e tutje).
Kjo thirrje mbushi me shpresa zemrat e zhuritura të popullsisë çame e për pasojë, një pjesë e mirë e tyre nuk u largua nga shtëpitë e tyre. Madje shumë banorë myslimanë, bashkë me të krishterët, bashkëqytetarë të tyre, të prirë nga dhespoti i Paramithisë dhe myftiu i qytetit, Sali Afuzi, i pritën në hyrje të qytetit forcat e EDES-it me këngë e vallë, më 27 qershor 1944.(J.Sarras, vep.e përm., f.661).
Aristidh Kranja, komandanti i Regjimentit XVI të EDES-it, në pasditen e 27 qershorit, ftoi në një mbledhje në shkollën e qytetit myftiun e Paramithisë dhe gjithë myslimanët e qytetit, për t’iu përcjellë “një mesazh paqësor”. Ftesa u prit me kënaqësi nga banorët e komunitetit mysliman dhe përfaqësuesit e saj. Shkolla ishte mbushur plot e përplot. Në fytyrat e shqiptarëve lexohej gëzim dhe kënaqësi, se më në fund kishte ardhur dita e shumëpritur për të jetuar në paqe e harmoni me të krishterët dhe të çliruar nga pushtuesit e huaj. Ishte kjo arsyeja, që kur hyri Aristidh Kranja në sallën e madhe të mbledhjes, u prit ngrohtë dhe me duartrokitje të gjata. Ai, në këtë tubim u deklaroi të pranishmëve se për myslimanët e të krishterët e Çamërisë do të niste një jetë e re, ku do të mbretëronte paqja dhe harmonia dhe se çamët do të gëzonin të gjitha të drejtat dhe liritë qytetare.
Në kohën kur Kranja u premtonte myslimanëve paqe dhe barazi me të krishterët, forcat zerviste kishin filluar dhunën dhe reprezaljet kundër myslimanëve në qytetin e Paramithisë. Dëshmitë e të mbijetuar dhe arkivat e kohës, e veçojnë ndër barbarizmat më të egra të shekullit në Ballkan e më gjerë. “Pamjet ishin të tmerrshme: grabiteshin shtëpitë e myslimanëve, rrëmbeheshin gra e vajza që pasi përdhunoheshin, masakroheshin në mënyrë çnjerëzore. Ndërkohë edhe ndaj burrave myslimanë, që ishin mbledhur në shkollën e qytetit, para syve të Kranjës, nisi një valë e egër terrori. Ndër viktimat e para të shqiptarëve në Paramithi, ishte myftiu, Sali Afuzi, me të dy djemtë e tij, Mit`hatin dhe Nuhun, ndërsa të shoqes së myftiut, Nairesë, i prenë kokën me hanxhar dhe bijës së saj, Fatimesë, 11-vjeçare, e përdhunuan përpara nënës dhe më pas e masakruan duke e lënë gjysmë të vdekur, (V.Krapsites, “Oi mussulmanoi”, f.131) .
Historiani Jani Sarras, duke trajtuar në veprën e tij pushtimin e Paramithisë nga forcat e EDES-it, shkruan se marrja e Paramithisë nga EDES-ët ishte fatale dhe tragjike për minoritetin shqiptar çam. Likuidimi e çrrënjosja e këtij minoriteti nga trojet e të parëve të tyre, nga vetë atdheu i tyre, ishte i pashmangshëm. Edeisti paramithjot, Vasil Krapsiti, duke përshkruar në veprën e tij dramën e myslimanëve të shkaktuar nga forcat e Napoleon Zervës, jep edhe një detaj tepër interesant. Ai tregon se, më 27 qershor 1944, ngriti në qytet një Gjykatë Speciale Ushtarake, në përbërjen e së cilës ishin: Kryetar, A.Kranja; anëtarë, Muskunaqis Kostandinis dhe juristi, Kristo Stravopullos, të cilin ato ditë Komanda e Lartë e EDES-it e kishte graduar me gradën e Kapitenit, për të gjykuar 35 myslimanë nga paria e Paramithisë, me një akuzë tepër të rëndë: “Qytetarë grekë që kishin ngritur armët kundër atdheut...” . “Gjykimi i fajtorëve pa faj” bëhej në një vend publik, ku ishin grumbulluar jo vetëm të krishterët e qytetit, forcat zerviste e paramilitare, por edhe banorët e fshatrave të krishtera përreth. Komanda zerviste ishte treguar tepër e kujdesshme në thirrjen e grumbullimin e të krishterëve, për t’u treguar atyre dhe opinionit të gjerë, se dënimet do të ishin tepër të rënda ndaj “kriminelëve” që “i kishin shkaktuar aq dhembje e plagë” popullsisë së krishterë. Çamët që ishin rreshtuar në bankën e të akuzuarve, me duar të shtrënguara nga prangat e hekurave dhe të rrethuar nga shumë civilë e ushtarakë të armatosur, ndiqnin me qetësi britmat që lëshoheshin nga salla, nga njerëz të panjohur, që nuk dinin as emrat e të “akuzuarve”. Për 35 çamët që po gjykoheshin, ngriheshin një det me akuza si pjesëmarrës në masakrën e 29 shtatorit 1943, ku forcat gjermane masakruan 49 të krishterë të pafajshëm, midis të cilëve edhe priftin Teamatos Pan, si dhe Athanas G.Ringen, djegien e plaçkitjen e fshatrave greke, bashkëpunim me pushtuesin etj.
Trupi gjykues dhe të pranishmit në sallë u përballën me një të papritur. Kur dukej se procesit po i vinte fundi dhe pritej vendimi i dënimit, nga mesi i turmës të pranishme në sallë, u ngrit në këmbë një grua, që të gjithë qytetarët e Paramithisë, myslimanë e të krishterë, e njihnin si zonjën e nderuar të familjes së madhe të Ringenjëve, një familje me emër në tregti dhe në politikë, e njohur në të gjithë Greqinë. Ajo ishte Maria, e shoqja e Themistokli Ringes, e cila iu drejtua trupit gjykues me një ton disi të fortë, që shprehte protestën e saj ndaj akuzave pa baza që hidheshin ndaj atyre që akuzoheshin si kriminelë e vrasës: “Nuk jam as në rolin e avokatit mbrojtës, as në mbrojtje të fajtorëve, as për t’i akuzuar për ato që nuk kam dijeni. Unë dua të flas vetëm për njërin që keni nxjerrë në bankën e të akuzuarve”, tha ajo, duke e drejtuar gishtin drejt Fadil Bakos. Të pranishmit dhe trupi gjykues pritnin se çfarë do të thoshte ajo dhe ç’prova do të sillte, që do të rëndonin again mysliman të Paramithisë.
Zonja Maria, pasi mori frymë thellë, iu drejtua të pranishmëve: “E njihni ju cili është z.Fadil Bako? Ai është bashkëqytetari ynë, një njeri i ndershëm, bamirës dhe fisnik, mik i të krishterëve në ditë të vështira. Unë deklaroj para jush se Fadil Bako ka ndihmuar familjen e Ringenjve, si dhe shumë familje të krishtera paramithjote, me bukë e ushqime, duke i marrë në mbrojtje në ditë të vështira, kur jeta e tyre ishte në rrezik”, (V.Krapsites, “Oi mussulmanoi”, f.131).
Pas kësaj deklarate të Maria Ringers, që ra si bombë përpara trupit gjykues dhe kriminelëve të tjerë që kishin mbushur sallën e donin shfarosjen e shqiptarëve, zonja Maria doli nga salla.
Deklarata e guximshme e zonjës së Ringenjve, bëri që në fundin e procesit gjyqësor, Fadil Bako të shpallet i pafajshëm e të lirohet, ndërsa 34 çamët e tjerë u ekzekutuan brenda asaj nate. Qyteti i Paramithisë, brenda disa orëve u kthye në thertore të grave, burrave dhe fëmijëve, djemve dhe vajzave, që e donin jetën dhe ëndërronin për një Çamëri të lirë dhe në harmoni me të krishterët. Qyteti u mbyt në gjak, u përfshi nga tymi e flakët, ndërsa banditët e pashpirt të kasapit të Çamërisë, të dehur nga aroma e gjakut të pafajshëm çam, hidhnin valle makabre mbi kufomat.
Të krishterët e fshatit Draganj, sapo mësuan për të vrarët dhe krimet që ishin kryer në Paramithi, ashtu edhe për emrat e kriminelëve që kishin kryer masakrat, informuan parinë e myslimanëve të kazasë së Margëlliçit që të merrnin masa mbrojtëse dhe të mos u besonin premtimeve të Napoleon Zervës dhe të njerëzve të tij. Ndërkohë, opinioni i shëndoshë i të krishterëve të rajonit të Çamërisë, ishte shumë i indinjuar për krimet që kryenin bandat kriminale të edeistëve dhe përpiqeshin me të gjitha mënyrat t’u vinin në ndihmë myslimanëve shqiptarë në Çamëri. Kështu p.sh., kur forcat edeiste po i afroheshin Pargës dhe Gumenicës dhe marshonin drejt Filatit, u aktivizuan mjaft të krishterë për mbrojtjen e myslimanëve.
Përballë masakrës, çamët në krah të njëri-tjetrit
Por çamët e krishterë, (që për momentin nuk u prekën nga Zerva, por më vonë do të kishin të njëjtin fat si bashkëkombësit myslimanë), e përjetonin me dhimbje tragjedinë e vëllezërve të tyre myslimanë, duke bërë të pamundurën për t’u shpëtuar jetën. Shembulli i mëposhtëm është shumë kuptimplotë.
Ilia, nga fshati Sidher, shkoi menjëherë te vëllami i tij në fshatin Galbaq dhe me lot në sy i thotë: “Myslimanë e të krishterë, jemi të gjithë vëllezër. Unë jetën e kam nga ti, vëllai im. Atë që ke bërë ti vëlla Abaz, nuk mund ta bëj unë. Edhe vëllezërit e tjerë të krishterë të Sidherit ju mbështesin dhe ju përkrahin juve myslimanëve të një gjaku të Galbaqit. Më besoni sa ngushtë e ndjej veten unë dhe sidherjotët e tjerë, që nuk mund t’i bëjmë ballë egërsisë së kriminelëve të Zervës. Ata janë betuar për të mos lënë këmbë çami mysliman në Çamëri. E them me dhembje, por për të shpëtuar duhet të largoheni për në Shqipëri...”.
Lidhur me këtë, një nga të mbijetuarit, i moshuari Abaz Mezani tregon: “Vepruam ashtu siç na porositi vëllami im, Ilia. Morëm familjet dhe tërë fshati mori rrugën e emigrimit për të shpëtuar nderin dhe jetën e pjesëtarëve të familjes, duke lënë prapa gjithçka që patëm vënë me mund e djersë, ne dhe të parët tanë”, (dëshmi gojore e A.M.)
Ajo që po ndodhte, veçohet si një ndër barbarizmat më të egra të shekullit në Ballkan e më gjerë. Pamjet ishin të tmerrshme: grabiteshin shtëpitë e myslimanëve, rrëmbeheshin gra e vajza që pasi përdhunoheshin, masakroheshin në mënyrë çnjerëzore. Ndërkohë edhe ndaj burrave myslimanë, që ishin mbledhur në shkollën e qytetit, para syve të Kranjës, nisi një valë e egër terrori.
Të krishterët e Çamërisë, ishte shumë i indinjuar për krimet që kryenin bandat kriminale të edeistëve dhe përpiqeshin me të gjitha mënyrat t’u vinin në ndihmë myslimanëve shqiptarë në Çamëri. Kështu p.sh., kur forcat edeiste po i afroheshin Pargës dhe Gumenicës dhe marshonin drejt Filatit, u aktivizuan mjaft të krishterë për mbrojtjen e myslimanëve.
Largimi i çamëve për t'i shpëtuar terrorit të bandave zerviste, filloi. Të pushtuar nga tmerri, ata linin pas shtëpitë e djegura, kufomat e të afërmve të pavarrosur. Rruga e tërheqjes për banorët e krahinës së Pargës, Margëlliçit e Gumenicës, për në kufirin shqiptar, ishte Gumenicë- Kastri-Rai-Kalama-Smertë e që të çonte drejt e në kufirin shqiptar. Në shumë fshatra shqiptare, që ishin më pranë kufirit, ata hezitonin të lëviznin më në thellësi të vendit, me shpresën se mund të ndryshonte gjendja dhe të mos e merrnin kalvarin e dhimbshëm dhe tragjik të emigrimit. Dëshmi nga shpërngulja e dhunshme e çamëve Në këto momente të vështira për popullsinë myslimane çame, sipas dokumenteve arkivore e dëshmitarëve të mbetur nga masakra, spikat një mbështetje e fuqishme e bashkëkombësve të krishterë në mbrojtje të tyre. Strati Vrisi, nga fshati Grikohor, arriti menjëherë në fshatin Rëzanj, tek vëllami i tij Xheviz Isufi, që dikur i ishte gjendur në ditë të vështira. I propozoi që Xhevizi me familjen e tij të shkonte për strehim tek familja e Strati Vrisit, që në atë kohë ishte në Janinë. Xhevizi e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e tij të thellë, por shtoi se nuk mund të ndahej nga të afërmit dhe bashkëfshatarët e tij.
Stratiu, duke parë hezitimin e mikut të tij për t'u shpërngulur për në Janinë, i propozoi që të largohej menjëherë nga fshati e të ndiqte rrugën që kishin nisur bashkëkombësit e tij drejt Shqipërisë, duke ia bërë të qartë se sapo të pushtohej vendi nga forcat e Zervës, çdo familje shqiptare rrezikohej të zhdukej. Ndërkohë u përhap lajmi ndër çamët e rrethit të familjes së Selfo Muhos nga fshati Dolan, se në shtëpinë e tij kishte shkuar vëllami i krishterë nga Pjadhuli dhe e kishte paralajmëruar që të nisej një orë e më parë, se jeta e çdo çami rrezikohej nga forcat zerviste, që kishin marshuar drejt Çamërisë. Shihej qartë se situata tepër e tensionuar, që ishte krijuar në këtë kohë në Çamëri, kishte bërë që asnjë i krishterë, sado dashamirës që të ishte me myslimanin, nuk kishte mundësi t'i garantonte jetën, apo ta merrte në mbrojtje në shtëpinë e tij.
Rreth kësaj situate, që shpreh dashamirësinë e të krishterëve ndaj myslimanëve në ato vite, na jep të dhëna me interes historiani Jani Sarras. Në një nga veprat e tij, ai ndër të tjera shkruan se në Kastrizë jetonin dy familje myslimane; e Lile Rustemit dhe e Hasan Sulçes, me kryefamiljarë të vdekur. "Ata kishin qenë në marrëdhënie mjaft miqësore me bashkëfshatarët e tyre të krishterë. Ata i donin dhe i respektonin të krishterët pa paragjykime fetare, pa hipokrizi. Djali i LileRustemit, Rexhepi, dhe pjesëtarja tjetër e familjes, Mineja, ashtu si i ati i tyre, nuk nguronin të shfaqnin dashurinë dhe respektin për të krishterët. Gjatë pushtimit të vendit, Rexhepi mbajti një qëndrim tepër korrekt. Ai çdo lajm të keq që mësonte për ndonjë veprim, që do të ndërmerrej ndaj të krishterëve nga fashistët, i lajmëronte menjëherë të krishterët, që të merrnin masa mbrojtëse1. Rexhepi, që e ndjente veten shumë të pastër si edhe të parët e tij, kishin shkuar me të krishterët si vëllai me vëllanë, prandaj kur emigruan çamët, ai nuk luajti nga fshati i tij. Ai me të vëllanë Arifin, 14 vjeç, të shoqen Hanon, dy djemtë e tij: Rustemin 4 vjeç dhe Lilen 9 muajsh, si dhe Hasani me të bijën e tij Minen, që kishin një djalë, Skënderin 3 vjeçdhe ishte shtatzanë njëmuajshe, qëndruan në shtëpinë e tyre në Kastrizë. Personalisht, shkruan Sarras, duke qenë se nuk kisha mundësi t`i merrja në mbrojtje, kur më pyetën sesi të vepronin: të qëndronin apo të largoheshin, u thashë që të iknin, por ato vendosën të mos lëviznin(J.Sarras, vep. e përm. f.670-671). Autori vazhdon më tej: "Kur hynë edeistët në fshatin Kastri, Rexhepi ishte strehuar në shtëpinë e bashkëfshatarit të krishterë Miho Petro. Ditën e parë forcat zerviste nuk e prekën, por të nesërmen shkuan dhe e thërritën gjoja për ta marrë në pyetje dhe prej andej e shpunë në Shkallën e Manoles, ku e vranë bashkë me të vëllanë e tij. Ndërkohë edeistët, me familjen e pambrojtur të Rexhepit, filluan të silleshin në mënyrë çnjerëzore. Ata i përdorën të tri gratë e asaj familjeje për të kënaqur instiktet e tyre shtazarake dhe pasi i përdhunuan, i masakruan së bashku me fëmijët e tyre të mitur( J.Sarras, po aty).
Në vazhdim të fakteve që flasin për dashurinë dhe respektin reciprok që kishin dy komunitetet në Çamëri dhe dhembjen që ndjenë ata të krishterë të ndershëm për vrasjet, plaçkitjet e fshatrave e shtëpive të myslimanëve, që po e kthenin Çamërinë në një shkretëtirë të vërtetë, arkivat dhe dëshmitë veçojnë dhe aktin e lartë të fisit të madh e të respektuar të Vrisëve nga Grikohori. ...Hizdar Ahmeti i përket një familjeje të njohur çame nga myslimanë e të krishterë në Grikohor dhe në të gjithë Çamërinë, si derë e madhe dhe njeri fisnik e me besë. Kur nisën shpërnguljet e familjeve çame nga trojet e tyre, ai dhe të afërmit e tij, vendosën të kalojnë në Shqipëri nëpërmjet Janinës, si një rrugë që paraqiste më pak rreziqe nga bandat greke. Në Janinë ai ra në kontakt edhe me shumë të krishterë të zonës së Çamërisë, që ishin strehuarkohët e fundit në Janinë.
Aty takoi edhe bashkëfshatarin e tij Strati Vrisin, me familjen e të cilit e lidhte një miqësi e vjetër. Ata të dy kalonin orë të tëra bashkë në kafenetë e Janinës dhe bisedonin për kaosin, që kishte përfshirë Çamërinë dhe gjithë Greqinë. Një natë, (sipas dëshmive të të mbijetuarit Hizdar Ahmeti), erdhi një i krishterë në shtëpinë dhe në emër te Strati Vrisit, më ftonte në një darkë, ku sipas fjalëve të tij, ishin edhe miq të tjerë të krishterë nga fshatrat e Çamërisë që i njihja dhe më njihnin. Më tej ai rrëfen: "Vendosa të shkoja me kënaqësi. Prisja të nisesha rreth orës 20. Ndërkohë që çami nga Grikohori qëndronte në shtëpinë e tij, shkon Eleni, e shoqja e Strati Vrisit dhe i thotë Hizdar Ahmetit: "Aga! Ke të fala shumë nga Stratiu. Sonte mos lëviz nga shtëpia ti dhe të afërmit e tu, se kundër jush është përgatitur një plan i keq që rrezikon jetë njerëzish". Qëndrimi i Strati Vrisit dhe përpjekja e tij për të shpëtuar myslimanët, nuk ishte rasti i vetëm. Kështu hoxha i fshatit Kuç me të afërmit e tij që ishin larguar në Janinë, kur kishte filluar dhuna e terrori grek në Çamëri, u morën në mbrojtje nga të krishterët dhe më pas, kur u qetësua gjendja, u kthyen në fshatin Kuç… Kështu, sipas arkivave e dëshmive të të mbijetuarve, edhe në fshatin Mavrudh, i krishteri Gaqo Sholiu, shpëtoi nga thonjtë e vdekjes Nusret Sulon nga fshati Shulash, si dhe shumë familje të tjera myslimane në fshatin Lopës, që më pas u stabilizuan në Sajadhë, ku jetojnë edhe sot.
Tahir Gërra nga Vrohonai, ishte një derë e madhe patriotike. Njeri nga pjesëtarët e fisit të tij, Veli Gerra, ishte delegate i Çamërisë në Kuvendin historik të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Familja e Gerrave ishte edhe pronare e madhe tokash në Pllataredhe në Vris. Tahir Gërra, kur bashkë me çamët e tjerë mori rrugën e emigrimit për në Shqipëri, ka treguar një episod, që meriton të vihet në dukje. Ai në atë kohë ishte një burrë i moshuar, që i kishte kaluar të shtatëdhjetat. Kështu plakun e mençur dhe të mirë Tahir Gërra, ndërsa largohej duke lënë pas Vrohonain e tij të dashur, krahas pafuqisë që ndiente në atë rrugëtim të dhembshëm dhe pasurisë së madhe, që i linte pas, e brengoste edhe diçka tjetër e madhe. Herë-herë kërkonte të ndalej dhe duke u ulur, kthente kokën pas. Buza i dridhej dhe sytë i përloteshin. Pas mbetej si ëndërr Vrohonai, varret e të parëve. Por pas mbeteshin edhe miqtë e tij të krishterë. "O Zot! O Zot, - pëshpëriste me vete plaku. Ç`është kjo hata! Mallkuar qofshin ata që na bënë këtë gjëmë!
Mallkuar qoftë ai Zervë qeni! Edhe në varr mos pastë derman !"- pëshpëriste ai gjatë gjithë rrugëtimit dhe më vonë. Dhe pjesëtarët e familjes Gërra, pas dekadash, tregojnë se kur ishin larguar nga shtëpitë e tyre, tërë gjënë e pasurinë ia kishin lënë në përkujdesje e në kujdestari mikut të tyre të krishterë Kozma Zoit, nga fshati Vris. Kur familja e Tahir Gërrës gjendej në fshatin Spatar, bashkë me shumë familje çame, Kozmai ishte nisur nga Vrisi me dy vetë të fisit të tij, për të takuar e parë Tahir Gërrën dhe familjen e tij kudo që të ishin. Ai i gjeti në fshatin Spatar, nën një tendë të madhe të sajuar të një çadre. "Na gjeti aty, na përqafoi si vëllai-vëllanë dhe derdhi lot dhembjeje, duke i thënë babait tim dhe neve sa ishim atje, burra gra, fëmijë. Na prishi lufta, or vëlla. Zoti na shpëtoftë ju dhe ne", - tregon Nuri Gerra, djali i Tahir Gerrës. Atë natë, tregon Nuriu, miku i shtëpisë sonë, i krishteri nga Vrisi, e gdhiu natën bashkë me ne, në atë çadër. Të nesërmen, kur gdhiu dita dhe miqtë e krishterë do të ndaheshin, Tahir Gërra, duke iu hedhur në qafë, i tha Kozma Zoit: "Kam marrë nga tufa e lopëve të mia 7-8 lopë me vete, për të ushqyer fëmijët rrugës, por tani e shoh që as unë jam për to dhe as ato për mua. Duan kullotë e përkujdesje, qënuk mund t`ua siguroj, prandaj me gjithë zemër merri me vete dhe i paç hallall"! Pastaj iu drejtua të birit, Ruhiut: "Merri lopët dhe silli t`i marrë Kozmai". Kozmai me njerëzit e tij dhe tufën e lopëve përpara, u kthye në Vris, ndërsa të nesërmen Tahir Gerra me fisin e tij kaloi kufirin. Fundviti '44.
Situata në Çamëri, pas largimit të popullsisë myslimane çame, u rëndua edhe më shumë. Po ashtu u ashpërsuan konfliktet, që çuan në luftime të ashpra mes forcave të ELAS-it (Forcat efektive dhe rezerviste të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare) dhe të EDES-it. Kulmin e tyre veprimet luftarake e patën në nëntor-dhjetor të vitit 1944. Vihej re se forcat e ELAS-it dita-ditës fitonin terren dhe fitorja anonte nga ato. Ndikimi i EAM-it (Fronti Nacionalçlirimtar i Greqisë), filloi të rritej në të gjithë zonën e Çamërisë dhe më tej. Gazeta londineze "Ekonomisti", më 22 dhjetor 1944, shkruante : "Tani duket qartë se EAM-i ka më shumë fuqi nga ajo që besonin. Në dhjetor të vitit 1944 Fronti Nacionalçlirimtar i EAM-it dhe forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare (ELAS), u futën në Çamëri dhe i detyruan forcat rezerviste të kalojnë në Korfuz. EAM-i festoi fitoren. Gumenica dhe rrethinat e saj kontrolloheshin nga EAM-i dhe forcat e ELAS-it. E megjithatë, sërish zotëronte përçarja e thellë politike. Popullsia e krishterë ishte ndarë në dy kampe kundërshtare: EAM dhe EDES. Në mes tyre kishte një armiqësi të hapur. Nga çasti në çast pritej shpërthimi i luftës civile. Ndërkohë midis EAM-it dhe qeverisë shqiptare kishin filluar negociata për kthimin e çamëve, pa vënë në dijeni Komitetin Antifashist Çam.( H.I.Musa Demi .Qëndresa çame 1800- 1947, Tiranë, 2003, f.264). Shumë kryefamiljarë çamë merrnin rrugën për të shkuar në Çamëri pa familje, me qëllim që të shikonin gjendjen dhe më pas, të vendosnin ose jo për të shkuar me pjesëtarët e familjes. Një ndër ata çamër që mori rrugën nga Konispoli për të shkuar në fshatin Vris, ishte edhe Tahir Gërra, me dy-tre anëtarë të fisit të tij. Ata, pas një udhe të gjatë në këmbë, arritën në Vris dhe trokitën drejt e në shtëpinë e mikut të familjes së tyre, Kozma Zoit. Këta ishin të parët çamër, që ktheheshin në fshatin e tyre. Kozma Zoi i priti me gëzim të madh dhe iu uroi mirëseardhjen. Atë natë ndenjën pothuaj gjithë natën duke biseduar në mes tyre myslimanët e sapokthyer dhe shumë të krishterë bashkëfshatarë. Ndërkohë miqtë dhe dashamirësit nga fshati Vris i sollën Kozma Zoit disa lajme të trishtuara. Fjala ishte për disa elementë të krishterë jo vendës, që ishin instaluar rishtazi në pronat e myslimanëve, po përgatitnin kurthin për të vrarë Tahir Gërrën dhe shoqëruesit e tij. Kozma Zoi nuk e prishi gjakun dhe bashkë me miqtë çamër, doli në qendër të fshatit Vris dhe me anën e njerëzve të tij hapi fjalën në fshat: "Kushdo që do të guxojë të trazojë miqtë e tij myslimanë, do të përballet për jetë a vdekje me tërë rrethin tim. Ata janë në besën time dhe do të kthehen shëndoshë e mirë në familjet e tyre, ashtu siç erdhën". Tahir Gërra, pas dy ditë qëndrimi në Vris, vendosi të kthehej në familjen e tij në Konispol. Këtë vendim ia tha edhe pritësit të krishterë. Kur u nis Tahiri për rrugë, Kozma Zoi i tha: "Mik e vëlla! Erdhe vetëm tek miku yt, por në kthim do të shoqëroj unë me të mitë, sepse situata në Çamëri është shumë e trazuar nga elementët e pandërgjegjshëm e keqbërës". Tahir Gërra u përcoll i shoqëruar nga Kozma Zoi dhe katër kushërinjtë e tij të armatosur, derisa kaluan në kufirin shqiptar. Para se të ndaheshin, pinë edhe nga një cigare të dredhur dhe Kozmai i tregoi planet djallëzore, që ishin kurdisur kundër tyre dhe që e detyruan t'i përcillte ata deri në kufi të zonës ku kishin familjet e tyre. Në luftën për mbijetesë të popullit çam, në përpjekjet për të mbrojtur trojet, gjuhën shqipe dhe kundërshtimin ndaj shpërnguljes së dhunshme të popullsisë, nuk duhet lënë pa përmendur edhe Jasin Sadiku nga Margëlliçi. Për arsye të shumta, figura e Jasin Sadikut është e panjohur, edhe pse ndaj tij, për afro 70 vjet, qarqe të caktuara greke kanë ndërmarrë sulme të ashpra e të pandërprera. Jo vetëm në të gjallë, por edhe pas vrasjes së tij, më 1942.
Akuzat pa pabazë të grekëve
Dëshmitë greke, që nga viti 1940 e deri në ditët tona, sjellin "argumente" duke i akuzuar çamët si "vrasës", "grabitës", "plaçkitës" e "bashkëpunëtorë me pushtuesit nazifashistë". Këtyre akuzave, nuk u ka shpëtuar as Jasin Sadiku. Kjo shprehet edhe në raportin që i dërgonte Nënkomanda e Korofillaqisë së Pargës, Komandës së Lartë të Korofillaqisë së Epirit në Janinë, më 21 korrik 1942. Në këtë raport të gjatë, ndër të tjera shkruhej: "Një grup prej dhjetë vetash myslimanë të Margëlliçit, ku ndër më të njohurit mes tyre ishte Jasin Sadiku, të veshur me uniforma të oficerëve italianë e të shoqëruar nga 10 ushtarë italianë, kishin shkuar në fshatrat e krishtera të Frarit, familjet e të cilëve, nga terrorizimet që u kishte bërë Jasin Sadiku, ishin larguar nëpër pyje. Jasin Sadiku me shokët kishte grabitur rreth 100 kokë dele, viça e lopë ... Jasin Sadiku kishte rrahur e gjakosur një kundërshtar të tij të krishterë nga fshati Mesopotam, në Frar, (Jorgos Margaritis, "Anepithimitoi simpatriotes, Tsamidhes, Evranoi", Athinai, 2005, f.189-190)
Referuar arkivave del qartë se sa pa baza janë akuzat e Korofillaqisë së Pargës. Në to (arkiva) del se vetë Jasin jo vetëm kishte në pronësinë e tij qindra krerë dele e lopë, si dhe qindra hektarë tokë, por dhe se aktiviteti i tij ka qenë dukshëm në dobi të Çamërisë
Lidhja e Kombeve zhgënjen popullsinë çame
Situata në të cilën vepronin atdhetarët e Margëlliçit, ishte tepër e tensionuar dhe me rreziqe. Në këtë kohë ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri, përgatiteshin lloj-lloj prapaskenash e manipulimesh. Në rrjedhën e këtyre veprimeve antishqiptare nuk ishin përfshirë vetëm zyrtarët grekë të rangjeve të ndryshme, por edhe ndonjë përfaqësues i dërguar nga Lidhja e Kombeve, siç ishte rasti i kryetarit të Komisionit Mikst, z.Ekstrand. Ai, megjithëse i dërguar në Greqi si përfaqësues i Lidhjes së Kombeve me një mision të rëndësishëm, për të qenë një arbitër i mirë e për të mos lejuar asnjë shkelje e abuzim në shkëmbimin e popullsisë greko-turke, kishte dalë hapur në mbështetje të platformës politike të Greqisë, duke mbyllur sytë ndaj veprimeve të dhunshme që kryheshin ndaj shqiptarëve në Çamëri. Për zyrtarët grekë tashmë ishte fituar njëfarë sigurie se çdo veprim që do të ndërmerrnin ndaj çamëve, tek Ekstrandi nuk do të gjente asnjë rezistencë e presion. Ishte pikërisht kjo njëra ndër arsyet kryesore që administrata vendore greke, vepronte ndaj çamëve sipas dëshirës së saj.
"Në fillim të marsit të vitit 1925, në zyrën e Ekstrandit kishte shkuar një telegram, gjoja i nënshkruar nga 700 familje myslimane të zonës së Margëlliçit, të cilat "me vullnetin e tyre të lirë", shprehnin dëshirën të përfshiheshin në këmbim. Këtë parashtresë z.Ekstrand e kishte marrë në konsideratë, pa marrë asnjë kontakt me nënshkruesit e telegramit dhe ia kishte raportuar Lidhjes së Kombeve menjëherë si të mirëqenë dhe pritej vapori që ato familje, si një kope bagëtish, të viheshin përpara nga Korofillaqia greke dhe të futeshin në vapor për të udhëtuar drejt Turqisë.
Z.Bratlly, nënkryetari i Komisionit Mikst, krejt rastësisht, duke bërë një vizitë në Margëlliç, Mazarrek dhe në fshatin Vrastov, mësoi se ai telegram ishte hartuar dhe ideuar nga Komandanti i Ushtrisë Greke të zonës së Margëlliçit, Palimiro dhe për nënshkrimet që ishin vënë në telegram, çamët s'kishin asnjë dijeni. (A.SH, "Dokumente për Çamërinë", 1912-1939", Tiranë, 1999, dok.226, f.424)
Mitat Frashëri për ndërkombëtarizimin e çështjes çame
Gjithashtu, rreth këtij takimi e bisedimet që zhvilloi Jasin Sadiku me Bratllin, na informon Mit`hat Frashëri, në atë kohë Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, nëpërmjet raportit që i dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, më 21 mars 1925.
Ja dialogu i zhvilluar mes Jasin Sadikut dhe Bratllit, sipas raportit të Mit`hat Frashërit:
"Me të vërtetë, përgjigjet Jasin (Sadiku), kam dashur që të iki si turk, po kam gënjyer. Kam gënjyer nga shkaku i të zezave që kam hequr prej grekëve, të cilët, që nga më i madhi gjer tek më i vogli, s'kanë lënë të ligë pa bërë. Dhe i dëshpëruar, Sadiku paska numëruar të gjitha vuajtjet e çamëve dhe fjalët e tij hynë në procesverbal".
Nga deklarata që bëri Jasin Sadiku përpara zyrtarit të Lidhjes së Kombeve, bëhej e qartë se agai i Margëlliçit e kishte bërë atë deklaratë, ku shprehej se "donte të përfshihej në shkëmbim", përballë presioneve të shumta...
Prefekti i Prevezës dhe bashkëpunëtorët e tij që e shoqëronin hap pas hapi, kur nuk gjenin terren dhe mbështetje tek paria e kazasë së Margëlliçit, vinin në zbatim arrestimet dhe burgimet e figurave çame, me qëllim që të ngjallte terror e frikë në masën çame. Kështu p.sh., ishte vepruar me Abedin Dule Xhemalin, çifligarin e madh të fshatit Grave të Gumenicës dhe njëkohësisht përfaqësuesi i parisë së myslimanëve të Gumenicës dhe rrethinave. Agai i Gravës, sapo refuzoi me përbuzje e përçmim ofertat që i bëri prefekti i Prevezës, u arrestua dhe u dërgua në qelitë e Burgut të Prevezës, (gjoja si shtëpi bazë ku strehoheshin hajdutë) pse nuk deshi t'u bindej këshillave të prefektit dhe të bënte propagandë për shkëmbim .
Sa më të ashpra bëheshin presionet e qeveritarëve grekë ndaj shqiptarëve në Çamëri, aq më e vendosur bëhej qëndresa çame, pa marrë parasysh rreziqet që u kanoseshin. Kuptohet se në këtë situatë të vështirë, Jasin Sadiku dhe shumë nga bashkëqytetarët e tij, si Ahmet Aga Kasemi, Ibrahim Rojba, Haxhi Ibrahimi, Mustafa Bejo, Isuf Haxhi Mahmuti, Ibrahim Mullahu etj., që kishin hyrë e dalë shpesh në burgjet greke, të akuzuar për ndjenja kombëtare shqiptare, nuk e kishin të lehtë të vepronin se ishin nën një mbikëqyrje të fortë survejimi nga Korofillaqia greke. Megjithatë, në Margëlliç dita-ditës shtoheshin radhët e veprimtarëve çamë me ide e veprime patriotike, që manifestonin rezistencën kundër spastrimit etnik të çamëve. (A.SH, Letër e Mithat Frashërit, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë i drejtohet ministrit të Punëve të Jashtme, Tiranë; Athinë, 21 mars 1925).
Organizimi i qëndresës dhe Memorandumi i Çamërisë
Burimet dokumentare të kohës vënë në dukje se, në këtë kohë, në Margëlliç vepronte një plejadë e tërë patriotësh përkrah Jasin Sadikut e bashkëpunëtorëve të tij, si Mehmet Buzo, Osman Husa, Xhavit Husa, Qazim Rusi, Osman Çapari, Haxhi Kolobi, Abaz Selimi etj. Dita-ditës shtoheshin radhët me elementë të rinj që kishin marrë në duart e tyre flamurin e qëndresës. Në këtë mjedis patriotësh të vendosur, Jasin Sadiku bëhej edhe më i përkushtuar në veprën e tij dhe në bashkëveprim me bashkëqytetarët e tij, që e mbështesnin pa rezerva e ngurrim, e shtrinte aktivitetin edhe përtej fshatrave të kazasë së Margëlliçit, duke shfrytëzuar lidhjet dhe njohjet që kishte dhe respekti që gëzonte në masën çame.
"Jasin Haxhi (Sadiku), në shkurt të vitit 1926 ndodhet në radhët e përkrahësve më të vendosur të mbrojtjes çame dhe të përfaqësisë së saj. Përfaqësuesit e Çamërisë shihnin tek qeveria greke një rrezik të madh kërcënimi, jo vetëm për pronat, por edhe për jetën e njerëzve. Më 18 shkurt 1926u përpilua një Memorandum nga përfaqësuesit e popullsisë së Çamërisë. Dokumenti i nënshkruar nga Ali Dino, Mazar Dino, Haxhi Sejko, Mehmet Zëri, Ibrahim Bejazi, Jasin Haxhi dhe Adem Idrizi, iu dërgua Kryeministrit të Greqisë, z.Teodoros Pangallos. Memorandumi paraqiste në thelbin e tij, situatën në Çamëri, ku theksohej se "në Çamëri, në kundërshtim me çdo të drejtë, ishte aplikuar para tre vjetëve ligji i reformës agrare, që ishte një shpronësim i imponuar i pronarëve shqiptarë. Prej asaj mase të ndërmarrë nga qeveria greke, shqiptarët kishin humbur jo vetëm pronat e mëdha, por edhe pronat e vogla, kopshtet që i kishin për të përballuar nevojat më jetike. Situata e krijuar kishte bërë që familjet shqiptare ishin dënuar të vdisnin urie". (Arkiva greke, "Ipomnima tis epitropis ton antiproposon ton Alvanon to jenos kai mousoulmanon to thriskeyma elinon politon katoikon tis Tsamourias Ipeirou, pros tin aftou eksohotisa straiigou Theodoron Pangalou Proedrou tou Ypourjikou Simvouliou Athinas").
Më tej, përfaqësuesit çamë deklaronin se "shpronësimet e pronave të shqiptarëve ishin bërë në të gjitha fshatrat myslimane të Çamërisë dhe çmimi që kishte caktuar qeveria, ishte qesharak dhe i papërfillshëm. Në fshatrat Kravari, Koronopulo, Shëndell etj., për të ardhurat e prodhimeve bujqësore të tyre, që llogariteshin 120 Dhrahmi për streme, qeveria greke kishte caktuar një vlerësim të ulët, në 7 Dhrahmi. Këto vlerësime ishin bërë sipas deklaratave të fshatarëve greke, që ishin të interesuar për pronat që kishin marrë.
Në dokument theksohej se përveç vlerësimit qesharak të të ardhurave nga prodhimet bujqësore, parregullsi ishin vërejtur edhe në matjet e shtrirjes së pronave. Kështu p.sh., fshati Gorrica, kishte një sipërfaqe toke që llogaritej në 7000 stremë, komisioni atë sipërfaqe e llogariti sikur të ishte 1400 streme. Fshati Jonuz, me sipërfaqe prej 5000 streme, u llogarit vetëm për 1500 streme. Fshati Turkopalluk, me 5500 streme, ishte llogaritur për 1500 streme... Një fshat tjetër, Kanallaqi, zinte një sipërfaqe prej 8000 streme, u llogarit në 1800 streme .
Këtë qethje, theksohej në memorandum, pa asnjë kuptim, që u bënte komisioni grek pronave të myslimanëve shqiptarë, edhe pse u denoncuan nga pronarët shqiptarë, kërkesa e tyre nuk u mor në konsideratë. . Një aspekt tjetër që ngrinin përfaqësuesit e Çamërisë, ishte se "pronarët" e rinj të krishterë, që morën këto prona, ishin rreth 1000 familje. Ata u bënë çifligarë të rinj, me 120-140 stremë çdo familje, nga pronat e myslimanëve çamë, të cilat pasi i morën, i lanë djerrina e kullota të papunuara, ndërsa pronarët e vërtetë përfunduan keq e më keq, argatë e bujq të ish-bujqve të tyre .
Memorandumi përfundonte duke i kërkuar Kryeministrit grek, që "minoriteti shqiptar në Greqi, të ndjehej në shtetin grek si shtetasit e tij, si në detyrime, ashtu edhe me të drejta të barabarta me helenët. Dhe, së fundi, deklarohej: "Nëse nuk do të ndodhte kështu, do të mendojmë se qeveria greke synon asgjësimin ose largimin tonë" .
Memorandumi, në emër të përfaqësuesve të Çamërisë, nënshkruhej: Ali Dino, Masar Dino, Haxhi Sejko, Jasin Haxhiu, Mehmet Zëri, Ibrahim Bejazi dhe Adem Idrizi.
Miq me Jasin Sadikun, ishin dhe dy deputetë grekë: Avini dhe Çoku, i pari deputet i Partisë Venixelliste dhe i dyti i Partisë Popullore. Ata kishin dalë deputetë me votat që kishin fituar në fshatrat e zonës së Margëlliçit e rrethinave të tij. Ata e vizitonin shtëpinë e Jasin Sadikut jo vetëm gjatë fushatave elektorale, por edhe më pas, dhe kjo kishte bërë që mes të dy palëve të krijohej një miqësi e ngushtë dhe e sinqertë.
Jasin Sadiku dhe shumë nga bashkëqytetarët e tij, si Ahmet Aga Kasemi, Ibrahim Rojba, Haxhi Ibrahimi, Mustafa Bejo, Isuf Haxhi Mahmuti, Ibrahim Mullahu etj., që kishin hyrë e dalë shpesh në burgjet greke, të akuzuar për ndjenja kombëtare shqiptare, nuk e kishin të lehtë të vepronin se ishin nën një mbikëqyrje të fortë survejimi nga Korofillaqia greke.
Dokumenti:
"Më 6 dhjetor 1942 një nga figurat më të respektuara dhe më të fuqishme të Çamërisë, Jasin Sadiku, vritet. Kjo vrasje e një prej patriotëve e aktivistëve të njohur në mbrojtje të çështjes çame, pati jo pak ndikim të rëndësishëm jo vetëm në qarqet e njohura të kohës, por dhe për çështjen e popullsisë çame në tërësi, ndaj të cilës u përgatit dhe u realizua një shpërngulje e dhunshme e masive nga trojet e tyre autoktone...".
(Jorgos Margaritis, "Anepithimitoi…", f.160)
Është mjaft e rëndësishme të shohim pak më afër qëndrimet e Kryeministrit të Greqisë ndaj ankesave çame, të paraqitura në memorandumin e datës 18 shkurt 1926. Pangallos, me sa duket reagoi menjëherë. Ai, më 27 shkurt të atij viti, i dha një intervistë të gjatë një gazetari shqiptar në Athinë, siç e kemi përmendur në kapitujt paraardhës, ku përmendi shqiptarët dhe çamët me fraza dashamirëse, ndërkohë sulmoi administratën lokale greke dhe qarqet shoviniste greke me fraza brutale e të ashpra, ("Gazeta e Korçës", 27 shkurt 1926).
Ishte hera e parë në historinë e Greqisë, që nga viti 1913, që një Kryeministër grek të dënonte me aq vendosmëri agresionin barbar të një shteti ndaj një minoriteti. Dukej se në qeverinë greke, që drejtohej nga Pangallos, frynte një erë tepër e favorshme për minoritetin shqiptar çam. Ky qëndrim i ri i Athinës, i deklaruar publikisht, bëri që Pangallos të fitojë një admirim të veçantë në zemrat çame dhe, ndërkohë, çamët ngritën veshët dhe ndiqnin hap pas hapi se si do të rridhnin ngjarjet pas asaj deklarate të bujshme.
…Pangallosi, me gjithë vullnetin e mirë politik që kishte, ishte i pafuqishëm dhe kjo u pa kur kundërshtarët e tij politikë e përmbysën me një puç. Dhe kështu, pas përmbysjes së Pangallosit, situata në Çamëri u përkeqësua edhe më shumë dhe deklaratat e Pangallosit mbetën vetëm në letër dhe një dëshirë utopike e një Kryeministri grek të mençur e largpamës
Myslym Peza, miqësia e ditëve të vështira me çamët
Në vitet '30-të të shekullit të kaluar, Myslim Peza, me një rreth të ngushtë të njerëzve të tij, ndiqej nga qeveria e Zogut si kundërshtar politik. Midis grupit të të ndjekurve bënte pjesë edhe Shyqyri Peza, djali i xhaxhait të Myslymit. Shyqyri Peza, për t'u shpëtuar ndjekjeve dhe arrestimit të tij, shpesh lëvizte nga një krahinë në tjetrën, duke gjetur strehë e mbrojtje tek miqtë e tij të shumtë që kishte në Konispol. Pasi kishte arritur në Konispol, i rekomanduan që për t'i shpëtuar rrezikut të arrestimit, të kalonte në Çamëri dhe merret në besë nga Jasin Sadiku në Margëlliç.
"Nëse është vrasës e kriminel, duhet menjëherë të largohet e nëse ishte kundërshtar politik i qeverisë dhe njeri i ndershëm, bujrum në besën time",- është pohimi i mikpritësit para marrjes në besë.
Pezaku i përndjekur mbeti mik për kokë me again e Margëlliçit. Të afërmit e familjes së Jasin Sadikut dhe bijtë e tij, në vitin 1945, kur çamët kishin emigruar në Shqipëri, Shyqyri Peza e gjeti familjen e Jasin Sadikut, u ofroi ndihmën e duhur dhe kur mësoi se miku i momenteve të vështira të jetës së tij ishte vrarë nga grekët, u dëshpërua shumë dhe shprehu një keqardhje të thellë. Miqësia mes Myslym Pezës e familjes fisnike çame, vazhdoi gjatë...
Ekzekutimi i parisë së Margëlliçit
Më 12 janar të vitit 1942, në një kafene në qendër të pazarit të Paramithisë ndodhi një ngjarje tronditëse. Tofik Qemali, nga paria e Karbunarit dhe mjeku popullor Jahja Kasemi, nga Margëlliçi, dy nga krerët e zonës të sapokthyer nga internimi, kishin zbritur bashkë me shumë bashkëfshatarë të tyre në qytetin e Parimithisë, për të kaluar disa orë nëpër kafenetë e qytetit me miqtë e vjetër myslimanë e të krishterë, që për afro një vit e gjysmë internimi i kishin ndarë nga jeta dhe nga miqtë.
Jorgos Margaritis, ish-profesori i Universitetit në Kretë dhe historiani paramithiot, Spiro Muselimi, e përshkruajnë paksa kalimthi atë ngjarje të rëndë, vrasjen e Tofik Qamilit dhe Jahja Kasemit, dy prej figurave më të shquara të parisë së Margëlliçit e të Karbunarit, që tronditi si tërmet i fuqishëm gjithë zemrat e shqiptarëve të Çamërisë…
"Koço Nikolla nga Paramithia dhe Ilias Nikou nga fshati Monoliasa, vrasin dy çamët: Tofik Qemalin nga Karbunari dhe Jahja Kasemin, mjekun popullor…, për shkak se ata kishin sharë flamurin dhe kombin grek", (Spiro Mouselimi, Istorikoi peripatoi ana tin Thesprotian, vep. e përm, f.80).
E vërteta, sipas dëshmive dhe dokumenteve arkivore shqiptare, është ndryshe. Ajo ishte vrasje me qëllime të caktuara politike e qarqeve antiçame e antishqiptare në Greqi, që synonte një ringjallje konfliktesh të ashpra mes myslimanëve dhe të krishterëve dhe të lihej në mes të udhës, rruga e nisur për pajtim, nismëtarë të të cilit ishin edhe dy viktimat.
Si ndaluan çamët gjakmarrjen mes tyre
Në disa raste, qarqet e mësipërme kishin arritur të sillnin dhe konflikte të përgjakura mes çamëve myslimanë e të krishterë. "Në vjeshtën e parë të vitit 1942, në një përleshje midis myslimanëve dhe të krishterëve, vritet Spiro Ballumi, bashkë me një të krishter tjetër nga fshati i Popovës. Më pas çamët, në shenjë hakmarrjeje, vrasin dhe dy spathariotë të tjerë, atë e bir: Vasil Zaravuçin dhe të birin e pafajshëm 19-vjeçar, Kristovasil Zavruçin.
Gjakmarrja kishte ngjallur një konflikt të hapur dhe në përmasa të gjera mes myslimanëve e të krishterëve. Në qytete dhe në fshatrat e Margëlliçit ishte krijuar pasiguri e plotë. Asnjë nuk e ndjente veten të sigurt. Edhe bujku në arë, edhe çobani, edhe udhëtarët nuk ishin të sigurt nëse do të ktheheshin në mbrëmje në gjirin e familjes.
Fillimisht, Jasin Sadiku arriti që të bindte mikun e tij, Avdulla Kasemin, që të hiqte dorë nga hakmarrja për gjakun e të vëllait dhe të ndikonte edhe tek të afërmit e tij, që të qetësohej gjendja dhe të kthehej qetësia dhe siguria për njerëzit e thjeshtë. Avdulla Kasemi e dëgjoi dhe iu bind fjalëve të mikut shumë të afërt. Avdullai, me urtësinë që e dallonte, uli armët.
Veprimi që ndërmori Jasin Sadiku dhe ulja e armëve të Avdulla Kasemit, nuk tregonin as frikë e as dobësi të tyre, por veprime të njerëzve të mençur e të matur, për t'i dhënë fund një situate tepër të rënduar dhe pasigurisë që ishte krijuar në kazanë e Margëlliçit", (Spiro Mouselimi, Istorikoi peripatoi ana tin Thesprotian, vep. e përm., f.80).
Besëlidhja për pajtim: "Stop vëllavrasjes!"
Nisma e pajtimit, që u arrit të realizohet me sukses tek myslimanët shqiptarë të Margëlliçit, u shtri dhe në Karbunar e fshatrat e tjera të Çamërisë...
Dëshmitë arkivore të kohës për këtë periudhë, japin fakte të shumta për pajtimtarët çamë, të cilët, të prirë nga Jasin Sadiku bënë të pamundurën për bashkimin e komunitetit përballë planeve shoviniste për braktisjen e trojeve autoktone me dhunë.
"Ai (Jasin Sadiku) pasi u la lamtumirën të besëlidhurve në Morfat, i shoqëruar nga të dy miqtë e tij të krishterë, që nuk i ndaheshin për asnjë çast, u nis në drejtim të Frarit. Jasin Sadiku dhe shokët që e shoqëronin, të hipur në kuaj, gjatë rrugës bisedonin rreth mbresave të mira që u kishte lënë takimi në Morfat. Kur kishin dalë nga fshati e kishin përshkruar një rrugë rreth 2 kilometra, ndodhi ajo që nuk mund ta merrte me mend askush në Çamëri, qoftë tek myslimanët, qoftë tek të krishterët: prerja në besë e mikut! Vasil Ballumi, me dy vetë, i maskuar, shkruan Spiro Muselimi, kur Jasin Sadiku iu afrua 2-3 metra afër, qëllohet me një breshëri plumbash, që i mori jetën më 6 dhjetor 1942, (G.Margaritis, Tsamides, vep. e përm., f.160).
Kështu, pothuaj në pjesën më të madhe të Çamërisë u arrit të bëhej falja e gjakut, eliminim i hasmërisë, gjë e cila po ua vështirësonte Zervës e mbështetësve të tij planin për shfarosjen masive të Çamërisë.
Vrasja e Jasin Sadikut
Sipas arkivave, një zyrtar i lartë grek, që e kishte takuar Vasil Ballumin enkas në Pargë, në verën e vitit 1946 dhe e kishte pyetur pse e kishte vrarë Jasin Sadikun, vrasësi që konsiderohej nga autoritetet greke si hero legjendar, iu përgjigj: "Kam besim të plotë, se ai plumb ka luajtur një rol të rëndësishëm për problemin çam. Në qoftë se Jasin Sadiku do të kishte jetuar, ngjarjet në Çamëri do të kishin rrjedhur shumë ndryshe. Jasin Sadiku, me zgjuarsinë e tij, mençurinë e tij, diplomacinë e tij, zhdërvjelltësinë e tij, do të kishte shumë ndjekës (pasues). Pas vrasjes së tij, pasuesit nuk vepruan dhe u larguan nga Margëlliçi", ( Ypomnima katoikon Pargas kai periferias "Periton Musulmanon Thesprotias" pros tin aksiotimon Erenitikin Epitropin tou OKB (Memorandumi i banorëve të Pargës dhe të fshatrave "mbi myslimanët e Thesprotisë" drejtuar Komisionit Hetimor të OKB).
Kjo deklaratë, që del pas rreth 5 vjetësh nga vrasësit e Jasin Sadikut, zbardh një të vërtetë të madhe, pse ishte vendosur nga qeveria greke vrasja e tij dhe ishte përzgjedhur për ta ekzekutuar një nga kriminelët më të spikatur, që ishte dalluar si një nga armiqtë më të egër të shqiptarëve të Çamërisë.
Lajmi i vrasjes së Jasin Sadikut tronditi nga themelet paqen sociale në kazanë e Margëlliçit, ku edhe ashtu, ekzistonin acarime të mëdha mes myslimanëve e të krishterëve. Varrimi i viktimës u bë në një klimë të ndezur, që u acarua dhe më tej, kur njeri nga të afërmit e viktimës, me një fjalim të shkurtër, i ftoi miqtë e dashamirësit që të merrnin shpagim kundër vrasësit, që tashmë ishte bërë i njohur për të gjithë.
Shumë pjesëtarë të familjes e të fisit, miq e të afërmit e viktimës, morën armët, qëllimi i të cilëve ishte hakmarrja. Këtyre iu bashkuan edhe shumë miq të tyre nga qyteti i Margëlliçit e fshatrat si Vola, Nista, Mazrreku, Karbunari, Vrastova, Arpica etj.
Përballë realitetit, autoritetet vendore greke, që u morën me raportet e tyre për historinë e vrasjes së Jasin Sadikut, e kanë injoruar totalisht të vërtetën. Në raportin e Kryetarit të Bashkisë së Gumenicës thuhet se konflikti mori fund, vetëm atëherë kur një përfaqësi e grekëve, shkoi drejt myslimanëve duke ngritur një flamur të bardhë, që donte të thoshte paqe e më pas nisen negociatat për takime mes përfaqësuesve myslimanë e të krishterë. (Burimi: El.Manta, Oi Mousoulmanoi Tsamides tij Ipeirou 1923-2000, Thassoloniki, 2004, f.155)
Lidhja e Kombeve: "Ndaloni dhunën dhe shpërnguljen e çamëve"
Gjenocidi ndaj popullsisë së pambrojtur çame nëpërmjet shpërnguljes së dhunshme nga trojet e tyre, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, solli reagimin e qarqeve përparimtare europiane, personaliteteve të kohës, si dhe të Lidhjes së Kombeve.
Në këtë kohë, Lidhja e Kombeve dhe Roma i bënë presion qeverisë greke, duke i kërkuar asaj:
-Të ndërpriste menjëherë dëbimin me dhunë të çamëve
-Të hapeshin shkolla shqipe në Çamëri
-Shqiptarëve t'u ktheheshin pronat që ua kishin zaptuar refugjatët grekë
-Të respektoheshin të drejtat e myslimanëve .
Mjaftojnë edhe këto pak informacione që dhamë, për të kuptuar se sa ishte shkalla e lirive e të drejtave që gëzonin shqiptarët myslimanë në Çamëri . Qeveria greke, në vend që të kërkonte ndjesë e t'i vinte gishtin kokës e të ndjente një pendim të thellë për krimet çnjerëzore dhe mohimin e të drejtave që i kishte bërë minoritetit shqiptar në Çamëri, shpifte e trillonte sajesa të paqena për të mbuluar një njollë të turpit, që do ta shoqëronte Greqinë në tërë historinë e saj.
Kur zihen në gojë martirët në Çamëri, pavarësisht se ishin myslimanë apo të krishterë që u masakruan nga dora e xhelatëve, duhet të shkruhet drejt historia dhe shkaktarët që u morën jetën këtyre viktimave të pafajshme, eshtrat e të cilëve sot heshtin nën dheun që i mbulon. Ata kërkojnë që të shkruhet për ta dhe të zbardhet e vërteta edhe për 49 martirët e krishterë në Paramithi, edhe për Tefik Qemalin e Jahja Kasemin, edhe për Jasin Sadikun, edhe për masakrat që u kryen ndaj çamëve në Paramithi, Margëlliç, Pargë dhe Filat. Duhet zbardhur e vërteta nga historianët, që të mos përsëriten më drama të tilla.
E bëra këtë histori të shkurtër për Jasin Sadikun, jo me synimin për të bërë biografinë e tij, por për të evidentuar vlerat që ai ka në Lëvizjen Kombëtare në Çamëri, deri tani të lëna në harresë dhe shpesh i akuzuar pa të drejtë nga qarqe të caktuara greke.
1947. Memorandumi çam drejtuar kryeministrit grek, Teodor Pangallos
Shkëlqesisë së Tij, Gjeneral Theodhor Pangallos, President i Këshillit të Ministrave, Athinë!
Zoti President!
…Duke pasur kënaqësi për zhvillimin e urtë të administratës tuaj dhe ju në krye të saj keni një detyrë të vetme, të përmbushni të drejtat e popullit mbi të cilën bazohet mbarëvajtja e shtetit dhe shembull i qeverisë, morëm guximin të parashtrojmë një memorandum për padrejtësitë që na janë bërë nga aplikimi i keq i ligjeve të shtetit dhe për më tepër, zbatimin e reformës agrare nga organet inferiore të administratës dhe t'ju lutemi juve zoti President, që të keni mirësinë të bëni personalisht hetime që të bindeni për ankimet tona mbi realitetin.
1. Me gjithë instalimin e ligjshëm dhe të drejtë të viktimave të mjera të katastrofës mikro-aziatike, vëmë re se shumë familje të refugjatëve u instaluan, veçanërisht vetëm në katundet e myslimanëve dhe bile në ato fshatra të cilat, tokat dhe arat, mezi plotësonin nevojat e banorëve të tyre të parë. Për instalimin e refugjatëve u morën shtëpitë tona modeste, nga të cilat na dëbuan me forcë dhe u shtrënguam të strehohemi në kasollet e këqija, ku banonin më parë kafshët e pakta ose nën tenda.
2. Në kundërshtim me çdo të drejtë, u aplikua Reforma Agrare e imponuar; shpronësimi i mallrave tona të vogla, të cilat jemi me origjinë shqiptare, myslimane nga feja, vetëm e vetëm që të instalonin refugjatët dhe për interesat e banorëve të krishterë që kemi rreth e rrotull. Në këtë mënyrë, duke humbur qysh prej tre vjetësh pasurinë tonë të pakët që kishim për të jetuar, prej të cilave merrnim disa të ardhura të pakta për jetesë, jemi të dënuar ne dhe familjet, të vdesim urie. Ky shpronësim u bë në të gjitha fshatrat e Çamërisë, që banohen prej shqiptarëve myslimanë dhe kryesisht në fshatin Njihor, Mininë, Koriqan, Gurrëz, Pjadhul, Picar, Petrovicë, Dhragomi, Karbunar dhe në fshatra e kryeqendrës së Paramithisë.
3. Në shpronësimet e detyrueshme të pronave tona, që jemi shqiptarë, kjo reformë është pa vend. Çmimi për vleftën e caktuar për të na shpërblyer për pronat e marra ishte i padrejtë dhe shtypës. Në pronat tona, të cilat gjenden në fshatrat e prefekturës së Prevezës: Kravari, Koçinopullo, Shin Dielli etj., të ardhurat e të cilave llogariteshin në 120 Dhrahmi për streme, ndërsa si çmim shpronësimi u caktua 7 Dhrahmi për streme.
4. Po sikur të mos mjaftonte ky çmim i ulët për pronat tona, që u shitën legalisht dhe me matjen e gjatësisë dhe gjerësisë, përsëri sipërfaqja e tyre në përllogaritje u qeth jo me qindra streme, siç mund të mendohej ndonjë gabim dhe të ishte i justifikuar, por në një mënyrë që tregon një vullnet të keq të organeve lokale, në dorën e të cilëve qeveria greke, me anën e Ligjit Nr.5521, parashikonte caktimin e çmimit të vleftës së tokës nga këta. Kështu për shembull, fshati Gorrica, sipërfaqja e tokës që kishte llogaritet në 7000 streme, komisioni atë sipërfaqe e përllogariti sikur ishte 1400 streme. Fshati Jonuz, që kishte një sipërfaqe prej 5000 streme, u llogarit vetëm për 1500 streme. Fshati Tukopalluk, që kishte 5500 streme, u llogarit për 1500 streme; fshati Koronopullo, me 3000 streme, u llogarit për 1200 streme. Një fshat tjetër, Kanallaqi, me ara gëzonte ndonjë sipërfaqe prej 8000 streme, u llogarit në 1800 streme.
Këto qethje pa asnjë kuptim të pronave myslimane, i denoncuan edhe pronarët e tyre shqiptarë në Frar në zyrat greke dhe njëkohësisht dhanë se cilat ishin sipërfaqet e vërteta.
5. Përveç shkeljeve në matje dhe përllogaritjen e vleftës së pronave të shpronësuara, u bënë edhe të tjera shkelje. Sipas Komisionit të Administratës Lokale, vlefta e grurit llogaritej në një çmim qesharak, me 30 lepta oka, ndërsa oka e misrit mezi arrinte në 1/3 e çmimit të grurit, në 10 lepta.
6. Me të ashtuquajturën Reformë u përfshinë në shpronësim, pronat e myslimanëve shqiptarë në 20 fshatrat e Frarit në prefekturën e Prevezës. Në pjesën më të madhe, pronarët shqiptarë në këto fshatra nuk kanë më shumë se 300 streme. Pronarët e tyre janë shqiptarët e Margëlliçit. Pronat e këtyre fshatrave i zotëronin 60-70 familje shqiptare dhe nuk kishin toka më tepër se sa parashikonte ligja, megjithatë ata u konsideruan si çifligarë dhe u përfshinë në shpronësim arbitrarisht dhe pronat e tyre ua shpërndanë të krishterëve, që ishin rreth e rrotull
Pronarët e rinj që i morën këto prona, ishin rreth 1000 familje. Ata u bënë çifligarë të rinj me 120-140 streme secila familje, të cilat pasi i morën, i lanë pa i punuar, ndërsa pronarët e vërtetë përfunduan keq e më keq, argatë dhe shërbëtorë të ish-shërbëtorëve të tyre.
7. Në vlerësimin e vleftës së pronës së shpronësuar dhe sasinë e të ardhurave që detyrohej t'i jepeshin pronarit nga prona e tij, pronarët e rinj, në deklarimin e të ardhurave nga tokat, deklaronin sa të dëshironin vetë dhe mbi atë masë caktohej masa që do të merrte i shpronësuari. Nga këto deklarata pohohej vetëm 1/5 e prodhimit që merrej, dhe nga deklarimet e më të ndershmit nuk e kalonte ¼. Shembulli i këtyre padrejtësive u vërejt në mënyrë flagrante në fshatrat e Gorricës, Zaravuci, Vllahori, Sheniku, Qeverose, Zallongo, Selamini, Mazi, Vojniku dhe në pronat e vogla të Paramithisë.
8. Me dëmshpërblimet që na u dhanë nga shpronësimet, ne nuk plotësojmë dot as nevojat për ushqimin tonë të përditshëm. Megjithatë, shteti kohët e fundit nxori edhe një ligj tjetër, i cili qindra vjet nuk ishte vënë në zbatim as nga qeveria turke. Sipas këtij ligji 1/5 e pronave të tona quhej pronë shteti dhe nuk shpërblehej, ¼ që mbetej prej saj për dëmshpërblim shkonte në favor të arkës për stabilizimin e vendit, një formë e re kjo që ishte krijuar kohët e fundit, në periudhën e shpronësimeve të pronave të shqiptarëve myslimanë.
9. Pothuajse në të gjitha fshatrat e krishtera rreth e rrotull, zaptuan pronat e myslimanëve shqiptarë, megjithëse ne posedojmë tapi që dëshmojnë se ato prej shekujsh kanë qenë pronat tona. Por gjyqi nuk i merr parasysh ato kur shkojnë pronarët dhe ua tregojnë.
10. Zbatimi më i keq i aplikimit të Reformës u zbatua në Paramithi dhe në Parakalama. Zbatimi i saj tregoi shtypje dhe padrejtësi. Shpronësimi tek shqiptarët përfshiu dhe kopshtet e shtëpive. Shqiptarët myslimanë u kthyen në njerëz pa prona, pa punë, pa pasuri dhe duke mos përfituar asnjë cent nga dëmshpërblimi. Të njëjtin fat patën dhe vakëfet
Me një Ligj tjetër edhe më të tmerrshëm, siç ishte ai me Nr.1703, qeveria greke zaptoi pronat e përbashkëta të fshatit.
Në shpronësimin e pasurive të shqiptarëve u përfshinë dhe 16 fshatrat e Filatit, të cilët u morën nga bujqit e krishterë rreth e rrotull. Qeveria greke nxori një ligj, sipas të cilit, do të shpërblente: më 1920, secilin pronar me 100.000 Dhrahmi; më 1921, me 150.000 Dhrahmi dhe në vitin 1922, me 100.000 dhrahmi.
nga gazeta "Shekulli" 2008