PER TE MOS MBETUR ÇESHTJA ÇAME NE UDHEKRYQ


PER TE MOS MBETUR ÇESHTJA ÇAME NE UDHEKRYQ
  
Shkruar nga  KOLEC TRABOINI

Kolec P. Traboini
Chameria Blog Editor

Veprimtaritë mediatike e partisë së Shpëtim Idrizit, që ka në qeveri zëvëndsministra, ndër të cilët të kulturës, i cili njëkohësisht drejton ankandin e shitjes së pikturave në News 24(!!!), janë bërë me shpenzime jo të  pakta, për pllakatet e video-koncertet folklorike në Bulevardin qendror të Tiranës, me tubime  e intervista çfarë të kujton  më shumë se gjithçka një show mediatik. Pse e themi këtë? Sepse nuk e kuptojmë ku është qëllimi i këtij manifestimi, çfarë do të realizohet me të, në sytë e kujt do të bjerë e kush do të reflektojë.
Sikur kjo të ishte bërë në Bruksel apo në New York para organizatës së Kombeve të Bashkuara, apo para pallatit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës,  vërtet do të kishte një kuptim dhe me siguri edhe efekte pozitive. Nuk besojmë se opinioni botëror e ka vëmendjen në Tiranë në këtë verë të nxehtë, kur pasioni i të gjithëve është mbërthyer në fushat e blerta të kampionatit europian të futbollit. Nga ana tjetër nuk paraqet ndonjë risi as në Tiranë përveç se si një javë kulturore e zakonshme, sepse nuk ka shqiptar të mos dijë se çfarë është Çamëria, cila ka qënë masakra ndaj popullsisë shqiptare, si u vra, u dogj e u përzu një popull, i cili sot e kësaj dite e vuan atë genocid që u krye nga shteti grek ndaj tij. Çfarë do të mësojmë më tepër? Çfarë do të arrijmë me këtë koncert video-folklorik me zë buçitës në qendër të Tiranës dhe a ka ndonjë rrugë e mënyrë tjetër më efektive për të realizuar programin. Por më kryesorja a ka program dhe sa koherent jemi me realizimin e tij?
Shumë më mirë do t’i shërbente çështjes çame që ajo shumë parash të përdorej në ngritjen e çështjes çame në instancat ndërkombëtare duke mos lënë portë pa trokitur apo mundësi pa shfrytëzuar. Aq më tepër se problemi nuk ka ngecur në Tiranë, por në Athinë dhe Athina duhet të përballet me instancat e  drejtësisë e humanizmit dhe në gjykatat ndërkombëtare. Asnjë influencë nuk kanë fjalimet e zhurmshme nëpër rrugë e sheshe apo dhe këngët folklorike në mes të zhegut të Tiranës.
Duhet të jemi më racionalë, të dimë çfarë të kërkojmë e të kemi një strategji të qartë. Çfarë mund të realizojmë me këto video-koncerte e banderola "I Love Çamëria!". Ne mund të dalim e të themi sa të duam edhe "I Love Italia!", "I Love Amerika!" sepse askush nuk na pengon në këtë dashuri. Kjo shprehje është ndjesi e jo program. Më së shumti shkruhen nëpër mure apo bluza të rinjsh e kaq. Natyrisht edhe ajo ka vlerën e vet, por ama nuk ka të bëjë me një program strategjik të menduar mirë e për të cilin nuk ka pse të mos marrim edhe këshilltarë e juristë me emër në arenën ndërkombëtare. Sepse nuk mund ta mposhtim të keqen me berihaj, dhe me të keqe kam parasysh politikën mediokre greke që ndalon ish -shtetasit e vet, të përzënë këta në mënyrë të dhunshme nga trojet e veta etnike, pra i ndalon të kthehen sërish pranë tokës e shtëpive të tyre.
Në Greqi janë kthyer të gjithë komunistët e EAM-it të përfshirë në luftën civile e të ikur në Shqipëri, Poloni e Rusi. Nga këta të ikur ne kemi si kujtim të hidhur djegien e Bezistenit mesjetar të Shkodrës). Vetëm popullsia çame ka mbetur ende e dënuar të jetojë larg trojeve të veta. Rast unik në Europë e për faj të Europës që nuk e ndaloi dot genocidin grek ndaj popullsisë shqiptare.
Por kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Në kushtet kur u shemb muri i Berlinit, si është e mundur të ekzistojë ende një mur që e ndalon popullsinë e vrarë, e dhunuar, të përzënë, të kthehet në trojet e shtëpitë e veta pikërisht në kushtet kur Greqia është anëtare e Bashkimit Europian ku inspirojmë të hyjmë edhe ne si shtet shqiptar. Kjo është një mënxyrë e një kohe tjetër mbetur peng në kohën tonë. Si mund ta lejojë Europa që pasojat e gjenocidit të vazhdojnë.
Mendoj se kështu do të mund të ngulmohet nëpërmjet asistencës së personaliteteve me influencë në fushën e drejtësisë e legjislacioneve  ndërkombëtare për ta paraqitur çështjen çame në forumet dhe instancat euro-amerikane. Dhe aty duhen shpenzuar energji, madje edhe para sepse nuk janë pa rëndësi këto ndërmarrje.
Mirëpo sa kohë që Shpëtim Idrizi dhe partia e tij dalin në tubime të skenës politike shqiptare duke garuar në zgjedhje për në parlamentin shqiptar, duke bërë aleanca partiake për pushtet e duke vënë në ministri  itharët e partisë,  nuk besoj se kanë gjë në vijë, sepse kurrgjë nuk është në dorën e shtetit shqiptar dhe as të qeverisë shqiptare.
Nëse kërkesat e partisë së Shpëtim Idrizit janë thjesht kthim i çamëve në trojet e veta në Çamëri e jo bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë nuk mund të inkludohen në luftë për poste qeveritare në Shqipëri, sepse kjo e konfondon krejt çështjen çame, dhe në sy të opinionit publik apo qendrave të vendosjes konsiderohet një çështje e mbyllur, sepse çamët janë inkluduar kështu tërësisht në sistemin politik e në jetën shoqërore shqiptare.
Përmbajtja konseguente në programin e kthimit të çamëve në Greqi, kërkon që ai dhe jo vetëm ai, por mbarë opinioni shqiptar të ngulmojë e të luftojë në atë qëllim në arenën ndërkombëtare. Ndërsa brenda në Shqipëri të bëjë organizimin e çamëve madje duke guxuar të krijojë zgjedhje në ekzil  për deputet në Parlamentin e Greqisë, të bëjë grup parlamentar, e të flasë si deputet në emër të popullit të zbuar në një parlament të munguar. Të gjithë e dinë historinë e fillimit të lëvizjes  palestineze  me krijimin e një fronti në ekzil, çfarë  pati efektin e vet në arenën ndërkombëtare dhe e çoi çështjen drejt zgjidhjes, ani pse ende nuk është përfunduar plotësisht. Vetëm kështu do ta dëgjonin ndërkombëtarët, sepse askush në instanca ndërkombëtare nuk pranon të të dëgjojë si përfaqësues i popullsisë së dëbuar çame nëse paraqitesh si një deputet i parlamentit të Shqipërisë që e ka juridiksionin vetëm brenda territorit të shtetit shqiptar. Flet si qytetar i këtij vendi, i përmbahesh ligjeve të këtij shteti dhe marrveshjeve që ky shtet ka me fqinjët e jugut, ndërkohë që shteti grek e ka më të lehtë të mohojë e të lozë me fjalët ndërhyrje në punët e brendshme.
Manovrat që bën Athina duke e paraqitur të munguar edhe emrin Çamëri në shtetin grek, nuk  bëhen pa qëllim por për ta bërë çeshtjen çame të paqënë, sikur në Greqi nuk ekziston një vend me emrin Çamëri. Po ne nuk ka pse të jemi aq të ngurtë, fundja le ti përgjigjemi me agresivitet mohimit  për t’ua bërë më të padurueshme situatën. Le  t’ia bashkangjisim emrin Çamëri-Thesproti, sepse janë e njëta gjë. Aq më tepër që kur të huajt dëgjojnë për Çamërinë, nuk arrijnë ta indentifikojnë as vendin ku ndodhet. Fundja le t’i ndihmojmë ata dhe t’i bëjmë grekëve me dije se nuk hiqemi nga udha e kthimit.
Sensibilizim i instancave ndërkombëtare në mënyrë të vazhdueshme e pa u lodhur kurrë, mendojmë se vetëm kështu mund të krijohen  premisat e kthimit.
Përkundrazi  kjo mundësi të duket iluzive në këtë mënyrë siç e konceptojnë strategjinë dhe taktikat në partinë e Shpëtim Idrizit me shokë, të cilët duan t’i flasin e t’i kërkojnë Greqisë nëpërmjet foltores së parlamentit shqiptar, gjë që nuk sjell asnjë efekt dhe krijon konflikte në mes të dy shteteve, çfarë as Europa dhe as Amerika nuk e mbështet.  Të mos harrojmë fuqitë e mëdha nuk duan të hapen vatra të reja konfliktesh në Ballkan, aq më tepër  kur gacat nën hi në mes të Ankarasë e Athinës rrinë ndezur e janë gati për t’u përflakur.
 Për të mos mbetur çështja çame në udhëkryq, theksojme ka dy rrugë të mundshme. Nëse i përmbahet vetëm programit të kthimit, të dalin si përfaqësues të një populli të zbuar e të zgjedhin deputetët e vet sa herë Greqia bën zgjedhje, duke u konsideruar në ekzil si pjesë e parlamentit grek e si të tillë të paraqiten në forumet ndërkombëtare. Kjo do të ishte një sfidë e papërballueshme nga qarqet greke. Mund të paraqiteshin në emër të çamëve në të gjitha instancat ndërkombëtare madje do t’i dërgoheshin  peticione edhe presidentit grek. Kjo do të bënte më shumë efekt se sa të dalësh si deputet i parlamentit shqiptar në një koalicion qeveritar qeverisës, ku do nuk do, je nën presion të dyfishtë si të brendshëm e të jashtëm dhe gjithnjë do të mbetesh me një program të cunguar e me një veprimtari të kushtëzuar nga politika qeveritare e cila nuk guxon t’i bjerë ndesh Europës.
Në të kundërt, nëse  mundësitë e kthimit bëhen gjithnjë e më të pashpresa, nëse qëndrat e vendosjes, ashtu dhe Greqia dhe Europa e bëjnë veshin shurdhër, vetvetiu si reaksion lindin format e forcat radikale, shpeshherë jashtë kontrollit, duke përdorur çdo mjet të mundshëm legal a jo, duke sensibilizuar opinionin e qarqet ndërkombëtare për  bashkimin e Çamëri-Thesproti  me Shqipërinë, në pamundësi  për zgjidhje tjetër. Greqia këtë territor Çamëri-Thesproti, ku historikisht me shekuj kanë jetuar shqiptarët, e ka marrë në një luftë agresive dhe me një marrëveshje e vendim të turpshëm të  fuqive të mëdha në dëm të Shqipërisë, pasi kjo e kishte shpallur pavarësinë, çfarë i jep të drejtën e kërkesës së rishqyrtimit të konferencave e vendime që i copëtuan padrejtësisht  trojet shqiptare. Këto vendime arbitrare në Konferencën e Londrës krijuan kushtet për precedentin ku fqinjët e jugut  të ndërmerrnin  genocidin mbi popullsinë shqiptare në territoret e okupuara, se ne ashtu duhet t’i konsiderojmë, jo vetëm në rrugë akademike por edhe politike.
Por kauza çame nuk ka qënë e as është çështje këngësh e vallesh (siç e konceptonte sistemi diktatorial në Shqipëri për pesëdhjetëvjet), por e të drejtës ndërkombëtare dhe humane sepse siç e thamë, ndaj atij populli është bërë një krim me përmasa genocidi e gjithë kjo në mes të Europës, e cila heshti dhe ka për detyrim të reflektojë.
Çfarëdo që të bëjmë në bulevardin e Tiranës e në “Qafën e Botës”, prej kaq larg Bota nuk na dëgjon, e,  për të shkuar në Greqi, çamët duan apo nuk duan do të kalojnë nëpërmjet Europës, prandaj duhet të trokasim në dyert e saj me durim e guxim, edhe sikur t’na  vriten e copëtohen duart, e në është e nevojshme t’i shkallmojmë ato dyer që ne shqiptarëve edhe sot e kësaj dite na ngjallin imazhin e Murit të Berlinit.  

Gazeta "Tirana Observer" 29 qershor 2012 

Shënin: Autori i shkrimit është Editor i  Blogut CHAMERIA